Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët me homologun e tij holandez, Mark Rutte, u pyet edhe për zhvillimet e fundit në rajon, konkretisht për tensionet në Bosnje.
Pavarësisht se e konsideron një situatë të rrezikshme, kreu i qeverisë tha se nuk beson se do të ketë konflikte.
“Unë besoj që të gjithë në Ballkan, edhe ata që mund të konsiderohen si potencialisht faktor me kapacitet destabilizues e kanë kuptuar që kjo nuk sjell asgjë të mirë, as për ata. Lufta në Ballkan nuk është një mësim që e kemi marrë nga librat, por e kemi përjetuar direkt. Ne e kemi parë dhimbjen e luftës. Nuk besoj se jemi në prag të shpërthimit të një konflikti por këto janë simptoma të rrezikshme që duhen marrë me seriozisht. Unë besoj se nuk duhet të ketë ‘ose po ose jo’ për integrimin por ndërmjet duhet të krijojmë hapësira për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjve. Duhet të kenë mundësinë që të mos ikin jashtë në universitetet e Evropës por t’i gjejnë këtu ato”, tha Rama.
Duke u ndalur edhe te projekti “Balkani i Hapur”, Rama tha se është një nismë që nuk do shërbente si çelës magjik, por si mekanizëm për të shtuar forcat për bashkëpunim mes vendeve të Balkanit Perëndimor.