“Dua të informohem para se të gjykoj për situatën”, ka thënë Strack-Zimmermann, kryetarja e komisionit të mbrojtjes.
Tensionet e fundjavës në Kosovë janë sot, 3.08.2022, në rend të ditës së seancës së jashtëzakonshme të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Federal të Gjermanisë, Bundestag. “Para se të gjykoj, dua të informohem në mënyrë më të detajuar”, tha të hënën kryetarja e komisionit, Marie-Agnes Strack-Zimmermann (FDP), për portalin e lajmeve “The Pioneer”. “Prandaj e kam vënë çështjen në rend të ditës në seancën e posaçme të Komisionit të Mbrojtjes”.
Gjermania e shqetësuar për gjendjen në rajon
Qeveria gjermane ishte shprehur e shqetësuar për situatën në Kosovë qysh në fillim të javës. Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, SPD, e cila në pranverë pati rastin të njihej vetë nga afër me gjëndien në Kosovë, tha se “misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO po monitoron gjithashtu nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti. Bundeswehr-i mbetet i përkushtuar në NATO dhe me KFOR-in për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”, tha Lambrecht, sipas një deklarate të zëdhënëses së ministres së mbrojtjes, Nadine Krüger.
Ushtria gjermane përfaqësohet në Kosovë si pjesë e një operacioni të udhëhequr nga NATO, por aktualisht vetëm me rreth 65 ushtarë. Sipas mandatit të Bundestagut, në rast nevoje aty mund të stacionohen deri në 400 ushtarë gjermanë. Sipas “Pioneer”, në një raport të brendshëm të Bundeswehr-it javën e kaluar, gjendja e sigurisë në Kosovë nuk ishte e kërcënaur dhe situata ishte “e kontrollueshme”.
Politikë naive në aspektin e sigurisë
Ndërkohë në një intervistë ekskluzive me DW, eksperti për Ballkanin në Institutin e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg, Konrad Clewing, u shpreh për ndryshim të strategjisë së perëndimit ndaj Kosovës, në aspektin e politikave të sigurisë. “Sipas mendimit tim, dialogu i koordinuar nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës nuk është masa e duhur për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje në mënyrë afatgjate. Sepse kjo është çështje e politikës së sigurisë. A ka të drejtë Serbia të mohojë ose luftojë ekzistencën e shtetit të Kosovës, a ka të drejtë Kosova të bëjë kontrolle kufitare dhe të kërkojë që qytetarët e saj, përkatësisht qytetarët e Kosovës të përdorin dokumentet e shtetit të tyre”, tha Clewing, duke shtuar se “është naive të mendosh se këto çështje kaq themelore do të zgjidhen në marrëveshje me Serbinë”.
Clewing kërkon nga Gjermania dhe Perëndimi në përgjithësi që t’i japë fund kësaj politike dhe të gjejë një zgjidhje afatgjatë për Kosovën. Meqë misioni i KFOR-it nuk e përfshin si detyrë ruajtjen e kufijve të jashtëm të Kosovës, alternativa e vetme që do të siguronte integritetin territorial të Kosovës është anëtarësimi i kësaj në NATO, argumenton historiani.
Ukraina dhe Mali gjithashtu në rend të ditës
Mbledhja e jashtëzakonshme e Komisionit, megjithëse Bundestagu ndodhet zyrtarisht në periudhën e pushimit parlamentar, ishte paralajmëruar prej kohësh, për shkak të situatës në Ukrainë. Por, prë shkak të zhvillimeve aktuale, veç Kosovës, rendit të ditës i është shtuar edhe situata në Mali. Javën e kaluar edhe këtu janë shtuar tensionet midis misionit të OKB-së dhe juntës ushtarake të Malit./DW