Tentuan të merrnin para nga një person brenda kazinosë në Shkup, nis hetimi ndaj tre personave

Prokuroria Themelore ka kërkuar paraburgim për një person dhe masa kujdesi për dy të tjerë, njëri prej të cilëve është në arrati, përcjell TV21. Të njëjtit me 11 maj kanë hyrë në një kazino në rrugën e Kaçanikut në Shkup, ku kanë tentuar të marrin para në mënyrë të jashtëligjshme.

Marketing

“Të dyshuarit fillimisht kanë sulmuar një person që po luante në aparatet për lojëra të fatit dhe kanë filluar ta godasin duke i kërkuar që t’u jepte paratë. Pasi i dëmtuari ka rezistuar, ata e kanë tërhequr me forcë në një kabinë, kanë vazhduar ta rrahin dhe kanë dashur ta bindin që të largohet bashkë me ta nga kazinoja. Për t’u mbrojtur, viktima ka marrë një karrige dhe i ka kërcënuar të dyshuarit se do ta hedhë drejt tyre. Në atë moment, i dyshuari i parë ka marrë një armë nga brezi dhe e ka kërcënuar të dëmtuarin se do ta vriste. Mirëpo, i dëmtuari ka refuzuar të largohet me ta nga kazinoja, ndërsa nga goditjet ka marrë lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, personat në fjalë dyshohet se me veprimet e cekura kanë kryer vepër penale – vjedhje ndërsa i dyshuari i parë gjithashtu dyshohet se ka kryer edhe veprën penale – rrëmbim.