Tërheqja nga Afganistani, Presidenti Biden: koha për t’i dhënë fund luftës së përhershme

Presidenti Joe Biden deklaroi të mërkurën se planifikon t’i japë fund luftës më të gjatë të Shteteve të Bashkuara dhe se është “koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe” nga Afganistani, edhe pse kritikët paralajmërojnë se paqja nuk është e garantuar pas një pranie 20-vjeçare të trupave amerikane atje.

“Ne shkuam në Afganistan për shkak të një sulmi të tmerrshëm që ndodhi 20 vjet më parë,” tha Presidenti Biden. “Kjo nuk mund të shpjegojë se përse duhet të qëndrojmë atje në vitin 2021,” tha ai në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Marketing

Presidenti Biden njoftoi se të 2,500 trupat amerikane të mbetura në Afganistan do të fillojnë të tërhiqen duke filluar nga 1 maji dhe tërheqja do të përfundojë përpara 11 shtatorit.

Duke u tërhequr pa një fitore të qartë, Shtetet e Bashkuara janë tani të hapura ndaj kritikave se largimi i trupave përbën në fakt një pranim të dështimit.

Presidenti tha se “arsyet për të qëndruar në Afganistan janë bërë gjithnjë e më të paqarta.”

“Jam presidenti i katërt amerikan që përgjigjem për praninë e trupave të SHBA në Afganistan. Dy republikanë. Dy demokratë. Nuk do t’ia kaloj këtë përgjegjësi një të pesti,” u shpreh Presidenti Biden.

“Është koha për t’i dhënë fund luftës më të gjatë të Amerikës. Është koha që trupat amerikane të kthehen në atdhe,” tha ai.

Ai tha se tërheqja amerikane “do të bëhet në mënyrë të sigurt dhe në bashkërendim të plotë me aleatët.”

Presidenti Biden tha se do të vazhdojë të punojë për të parandaluar rishfaqjen e terrorizmit .

Njëmbëdhjetë shtatori i këtij viti është një ditë mjaft simbolike, që përkon me 20 vjetorin e sulmeve të al Kaidës kundër Shteteve të Bashkuara. Ngjarja bëri që Presidenti i atëhershëm George W. Bush të niste konfliktin. Lufta u ka marrë jetën 2,400 ushtarakëve amerikanë dhe ka kushtuar rreth 2 trilionë dollarë. Prania amerikane në Afganistan arriti kulmin në vitin 2011 me më shumë se 100,000 trupa.

“Edhe pse nuk do të qëndrojmë të përfshirë në Afganistan ushtarakisht, puna jonë diplomatike dhe humanitare do të vazhdojë. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Qeverinë e Afganistanit”, tha Presidenti Biden.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua të mërkurën me zyrtarët në selinë e NATO-s në Bruksel, ku tha se trupat e huaja nën komandën e NATO-s në Afganistan do të largohen nga vendi në koordinim me tërheqjen amerikane deri më 11 shtator.

Zoti Blinken gjithashtu foli në telefon të mërkurën me shefin e ushtrisë së Pakistanit dhe diskutoi mbi procesin e paqes, sipas një deklarate të bërë nga krahu mediatik i ushtrisë pakistaneze.

Reagimet në Afganistan

Presidenti afgan Ashraf Ghani shkroi në Twitter se kishte folur me zotin Biden dhe se e respekton vendimin e SHBA. Zoti Ghani shtoi se “ne do të punojmë me partnerët tanë amerikanë për të siguruar një tranzicion të qetë” dhe “do të vazhdojmë të punojmë me partnerët SHBA / NATO në përpjekjet e tanishme të paqes”.

Presidenti Biden përballej me një afat tërheqjeje të 1 majit, të caktuar nga paraardhësi i tij republikan Donald Trump, i cili u përpoq por nuk arriti të tërhiqte trupat para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë. Vendimi i zotit Biden i mban trupat në Afganistan disa muaj pas këtij afati, por zyrtarët lanë të kuptohej që trupat mund të largohen plotësisht përpara 11 shtatorit.

Në kryeqytetin e Afganistanit, Kabul, zyrtarët thanë se ata do të vazhdonin me bisedimet e paqes dhe forcat e tyre do të mbrojnë vendin.

“Tani që ka një vendim mbi tërheqjen e trupave të huaja brenda disa muajsh, ne duhet të gjejmë një mënyrë për të bashkëjetuar,” tha Abdullah Abdullah, një zyrtar i lartë i bisedimeve të paqes dhe ish-kandidat për president. “Ne besojmë se nuk ka fitues në konfliktet afgane dhe shpresojmë që edhe talebanët ta kuptojnë këtë,” tha ai.

Zyrtarët amerikanë thonë se e kanë shkatërruar vite më parë udhëheqjen e al Kaidës në rajon, duke përfshirë udhëheqësin e grupit Osama bin Laden në Pakistanin fqinj në vitin 2011. Por lidhjet midis talebanëve dhe elementëve të al Kaidës vazhdojnë dhe paqja dhe siguria mbeten të rrezikuara.

Presidentët e mëparshëm të Shteteve të Bashkuara u përpoqën të tërhiqeshin nga Afganistani, por këto shpresa u venitën nga shqetësimet në lidhje me forcat afgane të sigurisë, korrupsioni i rrënjosur në Afganistan dhe vazhdimi i kryengritjes talebane që përdorte strehë të sigurta përtej kufirit, në Pakistan.

Ekziston shqetësimi rreth ndikimit që do të ketë tërheqja tek të drejtat e njeriut në Afganistan, duke pasur parasysh përfitimet që sollën dy dekadat e fundit për popullatën veçanërisht për gratë dhe vajzat.

“Jam e shqetësuar për të ardhmen time,” tha Wida Saghar, shkrimtare dhe aktiviste për të drejtat e grave në Kabul. “Një e ardhme e panjohur na pret, kur forcat e huaja të largohen dhe lufta civile të intensifikohet … kush do të mendojë për të drejtat e grave? Kush do të kujdeset për ne?”/VOA