Tërmeti 7.7 në Mianmar, shkon në 2056 numri i viktimave! Junta ushtrarake nuk lejon mediat të raportojnë për situatën

Junta ushtarake që sundon Mianmarin, ka raportuar se numri i të vdekurve nga tërmeti i së premtes prej 7.7 ballësh, ka shkuar në 2056 persona.Një zëdhënës i juntës, raportoi se deri më tani më shumë se 3900 persona janë të plagosur, ndërsa të zhdukur raportohet për 270.

BBC shkruan se është e vështirë të verifikohet numri i njerëzve që kanë vdekur në tërmet, por një Studim Gjeologjik i SHBA tha të premten se ekziston mundësia që numri i viktimave të jetë mbi 10 000.

Marrja e informacionit nga Mianmari është e vështirë. Qasja në media është kufizuar në vend që nga viti 2021 dhe shteti kontrollon pothuajse të gjitha radiot, televizionet, mediat e shkruara dhe online lokale. Përdorimi i internetit është gjithashtu i kufizuar.

Këshilli ushtarak ka refuzuar kërkesat e gazetarëve ndërkombëtarë për të mbuluar situatën, duke përmendur mungesën e ujit, energjisë elektrike dhe hoteleve, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Linjat celulare në zonat e prekura kanë qenë të copëtuara, por dhjetëra mijëra njerëz jetojnë gjithashtu pa energji elektrike, duke e bërë të vështirë për mediat të arrijë tek banorët.

Gazetarët e huaj rrallë lejohen të hyjnë zyrtarisht në vend dhe junta ka thënë se nuk do të japë viza për reporterët e huaj që u kërkohen për të mbuluar pasojat e tërmetit, duke përmendur një pamundësi për të garantuar sigurinë e tyre.

Junta ushtarake e Mianmarit gjithashtu ka njoftuar se vendi do të mbajë një minutë heshtje të martën për viktimat e tërmetit.

Heshtja do të mbahet në orën 12:51:02, koha e saktë kur ra tërmeti me magnitudë 7.7.

Marketing