Ballina Lajme Shqipëri Terrori gjatë natës në Durrës/ 40-vjeçari mori peng fëmijët e tij të...

Terrori gjatë natës në Durrës/ 40-vjeçari mori peng fëmijët e tij të mitur dhe qëllonte me kallashnikov! Të shtëna edhe ndaj RENEA-s

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës, ku një baba 40-vjeçar mbante peng dy fëmijët e tij të mitur në një banesë të marrë me qira.

Marketing

Rreth orës 02:20, Policia e Durrësit është njoftuar se dëgjoheshin të shtëna me armë zjarri, në ambientet e një pallati, në një apartament të lëshuar me qira, pranë zonës së quajtur “Shkëmbi i Kavajës”.

40-vjeçari A.M nga Lezha, banesën nga ku qëllonte me kallashnikov e kishte marrë me qira javore, ndërkohë që mbante peng dy fëmijët e tij të mitur 6 dhe 11 vjeç.

Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special RENEA, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.

Në vendngjarje shkoi RENEA, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.

Pas disa orësh negociata, me ndërhyrjen e RENEA-s nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e babait 40-vjeçar, të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.

Dy fëmijët janë nxjerrë nga policia dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe po u jepet asistencë me psikologët.

40-vjeçari është shoqëruar në Polici, për veprime të mëtejshme procedurale.

Exit mobile version