Tetë vjet nga varrimi i të vrarëve në Kumanovë

Mijëra qytetarë nga mbarë vendi, por edhe nga troje të tjera shqiptare, para tetë vjetësh, u kanë dhënë lamtumirën e fundit tetë prej nëntë kosovarëve të vrarë në Kumanovë të Maqedonisë.

Marketing

Pas homazheve dhe një akademie përkujtimore, djem me uniforma të UÇK-së kanë përcjellë për në banesën e fundit, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve, në Prishtinë, trupat e Xhafer Zymberit, Mirsad Ndrecajt, Valon Kabashit, Turgaj Gashit, Samid Kastriotit, Hysen Rushitit, Fatlum Vishesellës dhe Arben Rexhajt.

Nga Këshilli Organizativ, në përbërje të shoqatave të dala nga lufta, familjarëve e personaliteteve të tjera, të rënët në Kumanovë gjatë një konflikti me policinë maqedonase më 9 dhe 10 maj, janë nderuar si dëshmorë. Përveç disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje e të AAK-së, askush nga institucionet e larta të shtetit nuk ka qenë as për homazhe e as në varrimin e organizuar në kryeqytet.

Teksa varrimi është mbajtur në orën 17.00 në praninë e mijëra qytetarëve nga tërë Kosova, paraprakisht në sallën e sporteve “1 Tetori” janë bërë homazhe për më shumë se një orë, ndërsa është mbajtur edhe një akademi përkujtimore.

Qindra qytetarë kanë bërë homazhe pranë arkivoleve të cilët ishin të mbuluara me flamuj kombëtarë. Veteranë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të veshur me uniformën e dikurshme të UÇK-së qëndronin pranë arkivoleve.

Në duar ata mbanin fotografitë e të vrarëve në Kumanovë, fotografi këto të montuara, sipas të cilave këta të fundit paraqiteshin të kenë qenë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në fakt, disa prej tyre kanë qenë në UÇK, kanë qenë pjesë edhe e UÇPMB-së në Luginë të Preshevës, por në vitin 2001 edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. /KosovaPress/