Tetova edhe dy vite pa plan të ri urbanistik

Nga 10 mijë hektarë sa ka aktualisht territor komuna e Tetovës në bazë të Planit Gjeneral Urbanistik të vjetër, planifikohet që të zgjerohet në 15 mijë hektarë, me çka pritet që të zgjerohen hapësirat për parqe, rrugë, ndërtim dhe bulevarde. Mirëpo, problem në vete është se Tetova funksionon me një plan gjeneral të vitit 2003, shumë i vjetër.

Marketing

Kurse, tash, dukshëm është rritur numri edhe i banorëve, numri i veturave, dhe kjo obligon komunën që të mendojë për zgjerim të rrugëve, zgjerim të rrjetit të kanalizimit, zgjerim të ujësjellësit, por edhe zgjerim të qytetit në pjesë tjera. Kjo, sipas komunës së Tetovës do të parashihet në planin e ri gjeneral për Tetovën.

“Ngufatja që ndodh në qytet, ngërçet që ndodhin në rrugë, ndërtimet e egra që i kemi në qytet dhe fatkeqësisht mospasja e një plani gjeneral të ri urbanistik sepse funksionojmë ende me planin e vitit e vjetër të viti 2003, që është shumë i vjetër dhe ne jemi duke u përgatitur për plan të ri gjeneral urbanistik. Aktualisht është duke u bërë plani i dinamikës dhe grafikës ku kemi 10 mijë hektarë, ndërsa parashohim 15 mijë hektarë. Në konsultim edhe me ekspertë të ndryshëm të kësaj lëmie, na kanë përpiluar një listë me kërkesat apo të dhënat që duhet të sigurohen dhe më pas të nisë procedura për planin gjeneral urbanistik. Afatin se kur mund të jetë gati nuk mund ta caktojmë, por në bazë të asaj që shohim se çka kërkohet mendojmë se kjo do të marrë kohë rreth një vit e gjysmë ku parashihet edhe zgjerimi i qytetit, zonave të ndërtimeve, rrugëve të reja e kështu me radhë”, tha Besar Durmishi, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Marketing