Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka zhvilluar një vizitë pune në tre shkolla fillore të qytetit për të inspektuar nga afër investimet e realizuara së fundmi në kuadër të përmirësimit të kushteve të arsimit dhe infrastrukturës shkollore.
Në një ditë me diell dhe atmosferë pune, Kasami vizitoi SHFK “Liria”, SHFK “Besa” dhe SHFK “Përparimi”, ku theksoi rëndësinë e vazhdimit të investimeve në arsim si një ndër prioritetet kryesore të komunës.
Në SHFK “Liria”, ndër investimet kryesore përfshihen:
Lyerja e ambienteve të brendshme,
Ndërrimi i dyerve të klasave,
Ndërtimi i një portierie për siguri më të lartë,
Krijimi i kabinetit të informatikës me pajisje moderne: 25 kompjuterë, 22 laptopë, 11 projektorë dhe një tabelë të zgjuar,
Pajisje të reja për klasat dhe mësimdhënësit, si banka, karrige, dhe katedra,
Librat e rinj për bibliotekën dhe mjete të tjera mësimore.
Në SHFK “Besa”, punimet përfshijnë:
Riparime dhe lyerje me dy ngjyra,
Vendosja e dërasave mbrojtëse dhe dekorime të ambienteve të brendshme,
Kabinete të reja për biologji dhe shkenca natyrore, si dhe informatikë,
Pajisje të reja për nxënësit dhe klasat, përfshirë kondicionerë, perde dhe mjete mësimore,
Ndërtimi i këndeve rekreative, rrethojave dhe hapësirave për fëmijët më të vegjël.
Në SHFK “Përparimi”, është realizuar:
Rregullimi i oborrit dhe ndërtimi i një parkingu,
Ndërtimi i një muri mbrojtës për rritjen e sigurisë së nxënësve dhe stafit shkollor.
“Shumë punë është bërë dhe shumë punë na pret. Qëllimi ynë është i qartë: përmirësimi i kushteve për mësim, zhvillim dhe siguri për çdo nxënës dhe çdo mësimdhënës në komunën tonë”, theksoi kryetari Kasami.
Këto investime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të komunës për modernizimin e infrastrukturës arsimore dhe rritjen e cilësisë së procesit mësimor në Tetovë.