Ferhan Buba Hasani paralajmëron se në sezonin e ri në Finlandë do të jetë në formën e tij më të mirë, pasi ka shkëlqyer me lojë shumë pozitive të kurorëzuar me gol dhe asist në fitoren 4:0 të HJK Helsinkit në ndeshjen kontrolluese me Gnistan e luajtur në “Bolt Arena” të Helsinkit. Tetovari ishte figura qendrore e ndeshjes në pjesën e dytë kur ishte pjesë e çdo aksioni më të rrezikshëm, madje duke u futur në pjesën më të rëndësishme të statistikave me gol dhe asist. Helsinki avansonte 2:0 me golat e Meriluotos dhe Riski Riky-t në pjesën e parë, ndërsa në minutën e 56-të pikërisht harkimi perfekt i Hasanit nga gjuajtja e lirë shfrytëzohet nga Väyrynen për 3:0.
Ndërkohë në minutën e 67-të pas një harkimi të mirë në zonë, Hasani që ndoqi mirë aksionin me një vole me të majtën realizon gol për rezultat përfundimtar 4:0. HJK Helsinki vazhdoi dominimin deri në fund, ndërsa pak para përfundimit të ndeshjes vërtet për të të ardhur keq ishte fakti që nuk u kurorëzua me gol një aksion perfekt i Buba Hasanit. Tetovari me ekipin e tij kundër skuadrës Gnistan kishin përballjen e parë testuese pas pauzës së gjatë shkaku i pandemisë me virusin CoVid-19, ndërsa janë duke u përgatitur me ritëm të shtuar për startin e sezonit të ri.