Tetovë, Konferencë për barazinë gjinore dhe forcimin e pozitës së gruas, në kuadër të kryesimit të RMV-së me OSBE-në

Sot dhe nesër, në Tetovë, në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, do të mbahet Konferenca e parë e OSBE-së për barazinë gjinore dhe fuqizimin e rolit të grave, nën udhëheqjen dhe iniciativën tonë si kryesues.

Marketing

Konferenca do të mbahet në ambientet e Universitetit të Europës Juglindore dhe hotelit Merkur në Tetovë, ndërsa pjesa zyrtare, e cila do të fillojë në orën 15:00, do të hapet nga Kryesuesi i OSBE-së për vitin 2023, Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani. Në të njëjtën kohë, fjalime do të mbajnë edhe Sekretarja e Përgjithshme e OSBE-së Helga Shmid, kryetarja e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe të gjithë krerët e institucioneve autonome të OSBE-së.

Pas pjesës zyrtare të konferencës do të vijojë konferencë e përbashkët për media e Osmanit dhe Shmidit, e cila do të fillojë në orën 16:15.

Ngjarja dyditore parasheh tre sesione pune dhe katër panele shoqëruese ku përfaqësues zyrtarë të qeverisë, përfaqësues zyrtarë në kuadër të OSBE-së, profesorë të shquar, studiues dhe ekspertë të fushës do të shkëmbejnë mendime për tema veçanërisht të rëndësishme si gratë, paqja dhe siguria: fuqizimi i pjesëmarrjes dhe lidershipit të grave; lidhja ndërmjet gjinisë dhe korrupsionit dhe zbutja e efekteve të korrupsionit te gratë; barazia gjinore në jetën politike, praktikat e suksesshme nga terreni për çështjet gjinore, ku një kontribut të madh kanë misionet e OSBE-së, etj.

Kjo Konferencë vijon pas Konferencës “Gratë në Politikën e Jashtme”, iniciativë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila filloi të mbahet në vitin 2021, me qëllim fuqizimin e rolit të gruas në politikën e jashtme dhe ngritjen e zërit për barazinë gjinore.