Tetovë/ Konvikti i studentëve gati, hapet konkursi online për 300 shtretër

Nga 1 tetori konvikti studentor në Tetovë do të jetë gati për 300 studentë, thotë i dyti i ministrisë së Arsimit, Agim Nuhiu. Sipas Nuhiut, të gjitha punët kanë përfunduar në objektin e konviktit, ndërsa këtë periudhë të mbetur do të rregullohet infrastruktura para konviktit studentor, tha Nuhiu.

Marketing

“Tani Ministria e Arsimit dhe Shkencës i ka marrë të gjitha masat, veprimet në drejtimin organizativ, administrativ dhe drejtues. Ne kemi përzgjedhur edhe operatorin, i cili është i obliguar që t’i kryejë punët jashtë objektit, e kam fjalën për oborrin e konviktit dhe këto ditë do të implementojë projektin në fjalë. Ne jemi optimist se MASh-i i ka marrë të gjitha masat dhe gjithçka brenda është gati.”, – deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu.

Të gjithë studentët e Tetovës kanë të drejtë të konkurrojnë në konviktin studentor në Tetovë, të njëjtët duhen të jenë shtetas të vendit tonë, çmimi për një muaj do të jetë 3,140 denarë. Kurse, studentët që kanë prindërit pa punë qëndrimin në konvikt do ta kenë falas.

“Konkursi është online dhe presim të regjistrohen diku 300 studentë. Pagesa do të jetë 3,140 denarë dhe të gjithë ata që do studiojnë në Tetovë dhe nuk do të kenë prindër të punësuar, do të kenë mundësi falas të qëndrojnë në hapësirat e këtij konvikti.”, – theksoi zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu.

Nuhiu tha se janë duke u themeluar edhe udhëheqësia e konviktit, ku jo zyrtarisht mësojmë se në krye të konviktit studentor do të jetë Tushi Dervishi, i cili edhe më herët ka mbajtur postin e drejtorit të NPK- Tetovë

Marketing