Përplasje mes komunës së Tetovës dhe SPB-Tetovë për zgjerimin e parkingut zonal.
Sipas komunës së Tetovës, edhe pse shumë herë kanë dorëzuar kërkesë deri të SPB-Tetovë për zgjerimin e parkingut zonal, e njëjta u është kthyer negative. Zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazli, thotë se SPB-Tetovë nuk mundëson që parkingu zonal të zgjerohet.
“Kemi kërkuar nga SPB-Tetovë të bëhet zgjerimi i parkingut zonal. Megjithatë e njëjta kërkesë është refuzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme me arsyetimin që ata e dini saktësisht në aspektin ligjor se pse e kanë refuzuar”,- tha zëdhënësi i komunës së Tetovës, Armend Fazliu.
Nga SPB-Tetovë sqarojnë se kërkesa e komunës është në kundërshtim me nenin 64 nga Rregullorja për standarde dhe normativa të planifikimit urbanistik.
“Pas kryerjes së hetimeve në vendngjarje dhe kontrollimit të dokumentacionit përkatës, gjithashtu janë kryer konsultime dhe është kërkuar mendim nga Sektori për Punime në Trafik, pranë Ministrisë për Punë të Brendshme. Është marrë vendim që të mos jepet pëlqimi, me shpjegim se ky veprim është në kundërshtim me nenin 64 nga Rregullorja për standarde dhe normativa të planifikimit urbanistik (Gazeta zyrtare e RM-së nr. 142 më datën 21.08.2015)”,- thuhet nga SPB-Tetovë.
Derisa dy institucionet nuk po gjejnë dot mes tyre se kush ka të drejtë në zgjerimin e zonave të parkimit, qytetarët janë të pakënaqur nga funksionimi i parkingjeve aktualë dhe kërkojnë jo vetëm zgjerimin e tyre por edhe kushte.
“Të kënaqur nuk jemi aspak. Vijnë të bëjnë pagesë apo diçka tjetër, nuk ka parking. E kam dërguar djalin të paguajë një faturë, unë këtu pres pasi vjen merimanga dhe ta merr makinën”,- u shpreh një qytetar.
“Sigurisht duhet zgjerohen dhe duhet të shihen në planin urbanistik të qytetit në periudhën e ardhshme, të paktën për 10 vitet e ardhme”,- theksoi një qytetar.
Komuna e Tetovës ka vetëm 300 vende parkimi, ndërkohë që ka mbi 40.000 mijë vetura të regjistruara. Një tjetër problem në qytetin e Tetovës është ai i parkimeve paralele, që po ashtu shkaktojnë kaos në komunikacion.