Një grua është plagosur në dorën e majtë me armë zjarri derisa ka qenë në dasmë në oborrin e një shtëpie në Tetovë, ndërsa një person tjetër në polici ka denoncuar se xhami i parmë i automjetit të tij është dëmtuar prej amës së zjarrit pas pikës pagesore në Tetovë, kur pranë tij ka kaluar një kolonë me automjete.
Policia njoftoi se mbrëmë rreth orës 21:50 në Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë nga Qendra Klinike – Tetovë është denoncuar se tek ata është sjellë F.A. (53) nga Tetova me plagë në krahun e majtë e shkaktuar prej armës së zjarrit. Ajo derisa ka qenë në dasmë në oborrin e shtëpisë në rrugën “Pollogu” në një moment është ankuar për dhimbje, me ç’rast prej njërit prej të pranishmëve është transportuar në Qendrën Klinike në Tetovë.
Dje pasdite, rreth orës 15:20 përmes telefonit në Sektorin policor Kamenjan A.R. (27) nga f. Bogojc i Strugës ka denoncuar se duke lëvizur me automjetin motorik “BMV” me targa të Austrisë në autostradën Tetovë – Gostivar pas pikës pagesore Tetovë ku ka kaluar një kolonë dasmore ka dëgjuar të shtëna armësh. Më pas e ka parmë se xhami i parë është dëmtuar prej armës së zjarrit.
Ekspertizë në vendin e ngjarjes ka kryer një ekip i SPB Tetovë. Policia është duke punuar në zbardhjen e plotë të rastit.