Tetovë, protesta kundër mësimit online

Shumë nxënës të shkollave të mesme në Tetovë bojkotuan mësimin online. Thonë se shumë nxënës nuk kanë kushte për t’u kyçur në polatformë. Kërkojnë të kthehen në shkollë që tani duke kundërshtuar edhe marrëveshjen mes UNSHM-së dhe MASH-it.
“Ne nuk e përkrahim marrëveshjen e UNSHM-së, me ministrin e arsimit, pasi në atë tavolinë të marrëveshjes nuk janë shfaqur kërkesa tona dhe nuk është marrë mendimi ynë kur është nënshkruar ajo marrëveshje.”,- theksoi një nxënës.
“Jemi mbledhur për ta shfaqur revoltën tonë, pasi shumë nxënës nuk kanë mjete për t’u kyçur online.”,- u shpreh një nxënës.
“Ne do të vazhdojmë protestat tona deri sa organet kompetente të kuptojnë revoltën tonë dhe të marrin masa rreth kësaj çështje. Mësimi online nuk është aspak efikas dhe ne kemi plot këtu në gjimnaz por edhe në shkollat tjera që nuk kanë kushte për mësim online.”,- deklaroi një nxënës.
Bojkot të mësimit kishte edhe në shkollën Rexhep Voka në Brodec. Nga atje këmbëngulin se kanë kushte për mësim fizik.
“Shkolla jonë i plotëson kushtet maksimalisht për mësim me prezencë fizike. Ne kemi marrë vendim që ta bojkotojmë  mësimin.”,- theksoi kryetari i BL Brodec, Bashkim Fejzullahu.
Protestat e nxënësve të shkollave të mesme në Tetovë do të vazhdojnë edhe ditët tjera deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Marketing