Një i punësuar në një fidanishte në Tetovë e ka vrarë pronarin duke qëlluar me gurë në kokë pas një zënke verbale dhe fizike, kumtoi Prokuroria Themelore Publike.
Prokurori publik kompetent për momentin po bën ekspertizë në vendin ku është vrarë banori 60 vjeçar në fshatin Jançishtë të Tetovës.
Siç kumton PTHP, sot në orën 13:30, një banorë 45 vjeçar i fshatit Jançishtë të Tetovës, e ka privuar nga jeta punëdhënësin e tij, shtetasin 60 vjeçar nga Mbretëria e Holandës.
“Ngjarja ka ndodhur në një fidanishte në fshatin Prelubishte, pronë e tani të vdekurit. I dyshuari i punësuar në fidanishte fillimisht ka nisur zënkë fizike me punëdhënësin. Pastaj e ka goditur me gurë në kokë dhe i ka shkaktuar lëndime vdekjeprurëse”, thuhet në kumtesën e PTHP-së.
Prokurori Publik ka dhënë urdhra për sigurimin e gjurmëve dhe hetimin e mëtejshëm të tyre dhe urdhër për autopsi të personit të vdekur, ndërsa janë marrë edhe video regjistrimet nga telefoni celular i dëshmitarit të ngjarjes. I dyshuari është privuar nga liria, ndërsa hetimi në prokurori do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të rastit.