Tetovë, javën e fundit mbi 200 të infektuar

Tetova bashkë me rajonin ka hyrë në fazë e rrezikut të lartë nga shpërndarja e virusit korona. Në javën e fundit  qyteti i Tetovës bashkë me komunat rurale ka regjistruar mbi 200 rast të reja me Covid-19. Nga ISHP, thonë së grupmosha më e infektuar janë personat mbi 60 vjeç, ndërsa pas tyre radhiten mosha 30-39. Suzana Subashiç nga ISHP tha se kjo gjendje e krijuar në Tetovë dhe rrethinë vjen si pasojë e mosrespektimit të masave.
“Kjo tregon mosrespektim të masave, transmision të lartë dhe sëmundja kështu po përhapet. Për momentin më tepër kemi klasterë familjarë, pra përhapje të sëmundjes brenda familjeve. Numri i përgjithshëm i të infektuarve na arriti tanimë 2 000 për tetë muaj. Duhet të mbahen maska edhe jashtë në ambiente ku dyndjet janë të mëdha.”,– tha Suzana Subashiç nga IPSH – Tetovë.
Nga Shtabi i Krizës në komunën e Tetovës thonë  se Spitali i Tetovës ka kapacitete për pranim të të prekurve nga virusi Korona, ku deri më tani janë të vendosur vetëm 20 persona. Ndërkohë,  shtabi i krizës kërkon nga arsimtarët dhe profesorët që mësimin ta mbajnë online, me qëllim që të mbrohen nga Covid-19.
“Spitali Klinik i Tetovës është i përgatitur për gjithë ata që kanë simptoma të Kovid-19 dhe nuk ka probleme me kapacitetet spitalore për vendosjen e të sëmurëve. Mbetet rekomandimi nga komuna e Tetovës që arsimtarët ligjëratat e tyre t`i realizojnë nga shtëpitë e tyre online që të mbrohen edhe vetë ata por edhe të punësuarit tjerë në shkolla.”,- u shpreh Snezhana Novakovska nga Shtabi i Krizës.
Ndërkaq nga SPB-Tetovë thonë se  gjatë 24 orëve të fundit për mosmbajtjen e maskave mbrojtëse në Tetovë  janë dënuar 85 persona. Ndërsa nga Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, në rajonin Tetovë janë përgatitur vendime të reja për izolim për 178 persona.
Marketing