Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka marrë mbështetje të madhe nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe dega e Tetovës për të vazhduar edhe katër vite me Tetovën.
Sonte në takimin e strukturave partiake të Bashkimit Demokratik për Integrim – Dega Tetovë, dhe në prani të Kryetarit Ali Ahmeti, me shumë përulje, përgjegjësi dhe përkushtim mbi misionin dhe rrugëtimin që na pret, pranova propozimin e degës së BDI-së në Tetovë, si kandidate për kryetare të komunës së Tetovës në zgjedhjet lokale që vijnë!
Në këtë takim me propozim të kryetarit të degës së BDI – Tetovë Z. Florin Besimi, si shef i shtabit komunal zgjedhor të BDI në Tetovë u zgjodh Faton Ahmeti, që besoj se do ta përçojë vullnetin dhe përkushtimin e tij, në një fushatë demokratike, bindëse dhe përplot energji!
Duke qenë kryetare e komunës së Tetovës prej tetë vitesh tashmë, i njoh problematikat dhe sfidat më mirë se kushdo tjetër. Prandaj e di se çfarë mbetet për t’u bërë. E kam mësuar se nuk mundemi t’a realizojmë këtë mision ndryshe, veçse bashkë. Bashkë me ju, bashkë me miqtë tanë, me mbështetjen e qeverisjes qendrore, e bashkë me qytetarët!
Për Tetovën kemi bërë shumë, por kemi edhe akoma shumë punë për t’i bërë bashkë. Realizuam bulevarde, transport publik, ujësjellës, infrastrukturë rrugore urbane dhe rurale, si dhe shumë projekte të tjera.
Ky 4 vjeçar ishte përplot sfida. Si të gjithë vendet, edhe ne kaluam periudha të vêrshtira në qytetin tonë gjatë këtij një viti e gjysmë. Ende nuk ka përfunduar, ende qytetarët humbin jetën nga Covid çdo ditë. Në kohë të vështira si këto, qytetit tone i nevojitet lidership i fortë e me eksperiencën e duhur – e veçanërisht në valën aktuale të pandemisë kemi treguar se mundemi t’ja dalim mbanë nëse punojmë bashkë. Me ndihmën e Florinit dhe miqëve tanë në qeverinë vendore arritëm të hapim tre qendra të reja vaksinimi në vetëm pak ditë, i zgjeruam orët e hapjes deri në mesnatë. E pas përpjekjeve tona, qeveria pranoi të shtyjë fillimin e vitit shkollor për shkollat e mesme.
Vëllezër e motra!
Ju më njihni mirë. Disa si kolege, disa si mike, disa prej jush si nënë dhe si grua që e bën atë në të vilën beson! Unë nuk do t’ju zhgënjej dhe bashkë do ta bëjmë më të mirën për Tetovën tonë!
Tri javë më parë, edhe unë u infektova me këtë virus, dhe vetëm falë vaksinimit qëndroj sot pranë jush. Por, jam kthyer. Jam kthyer sërisht, më e fortë dhe më e vendosur se më parë. Jam gati për të luftuar. Jam gati për të luftuar bashkë me ju. Dhe e di se NE do të fitojmë së bashku !
Ajo çfarë kam mësuar gjatë kësaj pandemie, është se mundemi t’ja dalim vetëm si ekip. Dhe kam mësuar të dëgjoj më tepër. Këto zgjedhje nuk janë për mua, këto zgjedhje janë për ne. Për ne si BDI, e akoma më tepër për ne si qytetarë të Tetovës. Tani është koha të përgatisim Tetovën për të ardhmen, me investime në gazifikim, me infrastrukturë ekologjike – një Tetovë moderne, që do të na bëjë krenarë jo vetëm si metropol i rajonit, por edhe si një qytet i pastër e i gjelbërt për brezat e ardhshëm. Tetova si qytet për të cilin jemi të gjithë jemi krenarë, dhe ku NE e fëmijët tanë do të duam të jetojnë.
#EdheMëShumëPërTetovënTonë 💚, ka shkruar në facebook Teuta Arifi.