Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shkarkoi të shtunën këshilltarin e tij politik, Shkëlzen Gashi, pas reagimeve që pasuan deklarimet e tij rreth krimeve të luftës në Kosovë.
Të premten zoti Gashi gjatë një interviste në emisionin Frontal në televizionin T7 tha se “individë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm”, pohime, siç tha ai, të ngritura edhe nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, si Human Rights Watch e Amnesty International.
Zoti Gashi tha pos tjerash se e mbështetë Gjykatën e Posaçme për krime të luftës me seli në Hagë, themelimi i së cilës u miratua në fillim të muajit gusht të vitit 2015 nga parlamenti i Kosovës.
Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.
Këto deklarata nxitën reagime të shumta në Kosovë dhe të shtunën kryeministri në detyrë vendosi shkarkimin e tij.
“Sot e kam takuar dhe më pas e kam liruar nga detyra këshilltarin tim politik, z. Shkëlzen Gashi. Disa deklarata të djeshme të tij patën pasoja shpërqendruese nga puna e mirë e qeverisë në detyrë. Konsideroj që është më mirë që debatin në të cilin është përfshirë ai të mos e bëjë nga pozita e këshilltarit tim”, shkroi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.