Pas përfundimit të takimit me kreun e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurtin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se i ofron kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/es për kryeministër/re të ardhshëm/me të Qeverisë së Republikës së Kosovës
“Sapo zhvillova një takim të shkurtër me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, në përpjekje për të implementuar rezultatin zgjedhor të Zgjedhjeve të Përgjithshme të 6 tetorit të vitit të kaluar. Tashmë është bërë hapi i parë i rëndësishëm i konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për çka përsëri i përgëzoj deputetët e Kuvendit të Kosovës. Nevoja e formimit të Qeverisë është jetike për shtetin dhe qytetarët e Kosovës. Zoti Kurti sot nuk ishte i gatshëm të ofrojë propozimin e të nominuarit nga Lëvizja Vetëvendosje. Si president i vendit do ta ushtroj autoritetin tim kushtetues dhe ligjor të ruajtjes dhe kultivimit të unitetit politik e qytetar dhe orientimit euroatlantik të shtetit të Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Më tej shtoi:
“Prandaj, kam vendosur që t’i ofroj z. Kurti kohë shtesë edhe 48 orët e ardhshme për nominimin e kandidatit/kandidates për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës, para se të marr veprimet e radhës kushtetuese dhe ligjore.”