Thaçi arrin në Hagë për t’u intervistuar nesër nga Specialja

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, tashmë ka arritur në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.

Marketing

Njoftimin se të hënën (13 korrik, 2020) do të udhëtojë për në Hagë, Thaçi e bëri përmes llogarisë së tij në Facebook. Ndërsa Klan Kosova përmes burimeve të sigurta mëson se ai tashmë ka rritur atje.

Sot (12 korrik, 2020) është mbajtur një mbledhje e Këshillit Kombëtar të Sigurisë nën kryesimin e Kryeministrit Avdullah Hoti, ku është diskutuar mundësia e shpalljes së Gjendjes së Jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së Covid-19 në vend, dhe në këtë takim nuk ka qenë prezent Presidenti Hashim Thaçi.

Gjithnjë sipas burimeve, Thaçi nuk ka marrë pjesë në takimin e lartpërmendur për shkak se rreth orës 15:00, ai është nisur nga aeroporti i Tiranës për t’u intervistuar nesër në Hagë ku do të mbrohet nga avokati britanik Geoffrey Nice.

Kujtojmë se më datë 24 qershor, 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli janë dy të akuzuarit e parë që do të paraqiten në Gjykatën Speciale në Hagë.

Në propozim-aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në propozim-aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.

Në dhjetor të vitit 2011, senatori zvicerani Dick Marty publikoi një raport në Këshillin e Evropës ku përmenden disa ish-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si të përfshirë në krime lufte.

Kuvendi i Kosovës e miratoi ligjin për formimin e Gjykatës Speciale në gusht të vitit 2015.