Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar në Facebook pas vendimit të Gjykatës Speciale ku konstatohet se qeveria në detyrë, më konkretisht Ministria e Shëndetësisë ka shkelur Kushtetutën me masat kundër pandemisë.
Ai thotë se edhe pse në kohë pandemie, rendi ligjor dhe kushtetues mbesin të pacenueshëm.
Ai më tutje thotë se është shqetësuese dhe precedent i rrezikshëm shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga qeveria në detyrë, duke shtuar se kjo është qasje shpërfillëse dhe e papërgjegjshme.
Presidenti Thaçi duke aluduar në një letër të Kurtit drejtuar Gjykatës Kushtetuese thotë se kërcënimi ndaj institucioneve të pavarura si Gjykata Kushtetuese është i papranueshëm.
Ky është postimi i plotë i presidentit Thaçi:
Edhe pse është kohë pandemie, rendi kushtetues dhe ligjor janë të pacenueshëm. Në asnjë rrethanë, askush nuk mund ta shkelë Kushtetutën e Kosovës, duke cenuar atë dhe duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve tanë. Shkelja e dyfishtë e Kushtetutës nga Qeveria në detyrë përbën shqetësim të jashtëzakonshëm dhe është precedent i rrezikshëm për institucionet e Kosovës.
Kjo qasje e papërgjegjshme dhe shpërfillëse ndaj aktit më të lartë juridik e zbeh kredibilitetin e të gjitha institucioneve shtetërore dhe demokratike në vendin tonë.
Si president i vendit e dënoj ashpër edhe gjuhën e kërcënimeve mbi institucionet e pavarura, siç është Gjykata Kushtetuese. Veprimet e tilla janë të papranueshme!
Qeverinë e Kosovës, partitë politike dhe të gjitha institucionet e Kosovës i ftoj që t’i respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të mos e pengojnë punën profesionale të saj.
Refuzimi i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga Qeveria aktuale paraqet tendencë të qartë për përmbysjen e rendit tonë kushtetues! HTH.