Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, iu ka gëzuar votimit të mbrëmshëm në Kuvendin e Maqedonisë për ndryshimin e emrit, duke thënë se shteti fqinj e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin.
Sipas Thaçit, Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë ka dhënë shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre.
“Maqedonia e zgjodhi rrugën e integrimeve euroatlantike dhe bëri një hap të madh për forcimin e paqes në tërë rajonin tonë. Kuvendi i Maqedonisë mbrëmë dha shembullin e bashkimit të të gjitha partive për të mirën e qytetarëve dhe shtetit të tyre. Shteti forcohet dhe integrohet kur të zgjedhurit e popullit marrin vendimet e duhura dhe tejkalojnë interesat politike për interesat shtetërore. Republika e Kosovës i gëzohet këtij vendimi shumë të rëndësishëm të shtetit tonë fqinj. Paqen dhe stabilitetin në rajon e forcojmë vetëm duke dëshmuar vendosmëri në orientimin euroatlantik dhe duke punuar shumë për integrimin në familjen evropiane”, ka shkruar Thaçi në llogarinë e tij të Facebook-ut.
Për t’u informuar më shumë rreth votimit të mbrëmshëm në Kuvendin e Maqedonisë, klikoni linkun e mëposhtëm.