residenti i Kosovës, Hashim Thaçi është kthyer në Kosovë, pasi për katër ditë u intervistua nga prokurorët e Zyrës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
Nga Haga, Thaçi ka arritur fillimisht në Tiranë të Shqipërisë dhe prej aty ka hyrë në Kosovë, përmes pikës kufitare në Morinë, ku dhjetëra mbështetës të tij e pritën me flamuj të Kosovës, Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Përmes një njoftimi në rrjetin social Facebook, presidenti Thaçi ka thënë se nesër (18 korrik) do të mbajë një adresim, ku do të flasë për katër ditët e intervistimit nga ana e prokurorëve në Hagë.
Të enjten pas përfundimit të intervistimit, presidenti Thaçi, iu tha gazetarëve para ndërtesës së Prokurorisë së Specializuar në Hagë, se ka dhënë dëshminë e tij dhe se pret që prokurori dhe gjykatësi të vendosin në mënyrë profesionale për dëshminë e tij.
Gazetarët u interesuan nëse presidenti është pyetur për krimet e supozuara në të ashtuquajturën ‘Shtëpia e verdhë’ dhe për krimet e pasluftës, porse Thaçi tha se nuk është pyetur për këto çështje nga prokurori.
“Sonte nuk e kam të drejtën të flas lidhur për asnjë informacion për dëshminë time tash e katër ditë, mirëpo lidhur me pyetjen tuaj që ju e parashtruat, deri më sot nuk jam pyetur për pretendime të tilla në asnjë rast. E ritheksoj edhe njëherë, pretendime të tilla nuk janë parashtruar në adresën time për këtë periudhë”, ka thënë ai.
Thaçi u ftua në Hagë pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar muajin e kaluar se, më 24 prill, ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër tij, kundër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Në një komunikatë për media, Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se “Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme. Krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”.
Kjo është hera e parë që publiku e di se një person është ftuar për intervistë, pasi që kundër këtij personi tashmë është paraqitur aktakuza për shqyrtim.
Sidoqoftë, nuk dihet se në çfarë kapaciteti Thaçi është ftuar në këtë intervistë.
Përmbajtja e aktakuzës është konfidenciale derisa gjyqtari t’i konfirmojë ato.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzat.
Më 29 qershor, Thaçi deklaroi se nëse konfirmohet aktakuza e Prokurorit të Specializuar kundër tij, atëherë ai do të japë menjëherë dorëheqje nga pozita e presidentit.
Gjykata e Kosovës, e përbërë nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Specializuar e Prokurorisë në Hagë, është formuar me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, me ndryshimet kushtetuese nga Kuvendi i Kosovës.
blob:https://www.evropaelire.org/e2657b41-8a20-4f78-b4da-bacfed78bbce
Gjykata është themeluar pas raportit të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, në të cilin senatori zviceran Dick Marty flet për krimet e pretenduara “të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë“, që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.