Thaçi: Momentum i duhur për marrëveshje – ndryshe paguajmë çmim të lartë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalur nga takimi me homologun e tij serb, Aleksander Vuçiq, me disponim jo të mirë. Madje ai ka deklaruar se takimi përbashkët në Bruksel ishte edhe më keq e me rëndë seç po paraqitet para gazetarëve.

Marketing

“Takimi ka qenë më i rëndë dhe më i vështirë se sa që po flas”, ka deklaruar Thaçi, duke përsëritur vazhdimisht se tani është koha për marrëveshje, ndryshe lëndohet shumë e ardhmja – për të dyja vendet.

“Ka qe në një takim jo i lehtë, ka qenë një takim i vështirë, por me tone pozitive për të shikuar nga e ardhmja për interesin e dy vendeve. Jemi dakorduar që procesi të merr dinamikë dhe të intensifikohet në javët e ardhshme”, ka deklaruar, pos tjerash, Thaçi.

“Gjithashtu kemi arritur në konkludimin se arritja e marrëveshjes përfundimtare për normalizim është në interesin e të dyja palëve dhe gjithashtu e nevojshme për stabilitet në rajon. Pra arritja e një marrëveshje fituese për të dyja palët – marrëveshje e standardeve dhe kritereve europiane edhe për Kosovën edhe për Serbinë”.

Presidenti i pyetur se çfarë saktësisht është marrëveshja e dëshiruar, nuk është lëshuar në detaje. Ka thënë se edhe takimi sotëm s’kishte të bënte me detajet, por me kornizën e përgjithshme.

“Sot kemi diskutuar se si të arrimë një kornizë të përgjithshme të kësaj marrëveshje, që do të jetë e pranueshme për të dy popujt dhe njëherit të shikojmë ka e ardhmja europiane dhe jo nga e kaluara konfliktuoze”.
Herë më pozitiv në shprehje e herë më negativ, Thaçi tha se shpreson megjithatë për diçka pozitive.

“Mbetëm me shpresë se do të punojmë në mënyrë progresive për marrëveshje, por edhe nëse nuk arrihet marrëveshje duhet të punojmë me respekt dhe të mos e provokojmë njëri tjetrin e të shikojmë kah interesi i përbashkët”.

“Jemi të vetëdijshëm se ky konflikt është më tepër se një shekullor dhe nuk është e lehtë të shkohet drejt zgjidhjes përfundimtare të një problemi të theksuar të popujve tanë, por edhe më gjerë. Por edhe kaluara jonë historike dhe ajo gjeografike na imponon që të lëvizim përpara”.

“Është momentumi i duhur për arritjen e kësaj marrëveshje, nëse e humbi atëherë do të paguajmë çmim të lartë”.
“Jam i vetëdijshëm se pa normalizim Kosovë Serbi, Kosova nuk do të mund të realizojë objektivat e veta, njëjtë sikur edhe Serbia. Nuk mund të mbesim viktimë e kaluarës së hidhur, por të shikojmë ka e ardhmja. Nuk duhet të mbesim peng i miteve të së kaluarës”.

“Sot nuk është patriotizëm të vajtohet e kaluara, patriotizëm është të arrihet marrëveshja”.
“Shpresoj se dy vendet do të jenë fituese. Nuk jam naiv që të mendoj se do të kemi zgjidhje magjike të problematikave të së kaluarës dhe të kemi zgjidhje të menjëhershme për të ardhmen”.

“E di se me marrëveshje do të përfitojmë shumë dy palët, por jam i frikësuar se nëse nuk arrijmë marrëveshje do të humbim shumë, sepse do ta lëndojmë të ardhmen europiane dhe do të mbesim vende të izoluara. BE-ja s’e pranon as Kosovën as Serbinë me probleme”.