Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka deklaruar se nuk ka pasur ide për ndyshimin e kufijve në vija etnike.
Pas përfundimit të Samitit në Berlin, ai tha se nuk mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi pa unitet ndërkombëtar, e sipas tij ka pasur kundërshtime “duke u keq informuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike”.
Ndërsa theksoi se Kosova në mënyrë legjitime përkrah aspiratat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Thaçi gjithashtu e quajti veprim të papranueshëm pezullimin e dialogut nga ana e Serbisë deri në heqjen e taksës 100%.
Presidenti këto komente i bëri pas përfundimit të punimeve në Samitin e Berlinit, të organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Macron, ku morën pjesë liderët e Ballkanit.
“Me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, në darkën e përbashkët vazhduam të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tonë. Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë theksova disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë. Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë. Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së.
Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike. Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm.
Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë. Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë. Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë.
Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.