Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut ka bërë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
Presidenti Thaçi ka thënë se ka zgjedhur të vizitojë sot Reçakun, sepse është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile në Kosovë.
Kreu i shtetit ka thënë se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, ka kryer rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë, ka dhunuar rreth 20000 gra, si dhe ka vrarë rreth 13000 shqiptarë civilë, duke shtuar se “ata të cilët i kanë kryer këto krime kundër njerëzimit nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë as vendore, as ndërkombëtare”.
“Sot është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, për çka shteti i Kosovës po punon maksimalisht që të respektohen në kuptimin më afirmativ dhe plotësisht me standardet më të larta perëndimore të drejtat e njeriut në Kosovë. Por, në të njëjtën kohë, ne gjithmonë duhet të kujtojmë të kaluarën që të ecim të sigurt përpara, në një të ardhme të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim, për forcimin e shtetit dhe në të njëjtën kohë, për të ardhmen tonë euroatlantike. Por, sot, pikërisht, kam zgjedhur që të vizitoj Reçakun, që është pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë që ka kryer kundër popullatës civile në Kosovë, në kuadër të fushatës së gjenocidit të ushtruar nga shteti i Serbisë. Serbia ka kryer në Kosovë rreth 400 masakra kundër civilëve shqiptarë, ka vrarë rreth 1300 fëmijë, ndërsa aparati shtetëror i tyre ka dhunuar rreth 20 000 gra. Në të njëjtën kohë, kemi rreth 13 000 shqiptarë civilë të vrarë. Ritheksoj, Reçaku shënon pikën kulminante të masakrave dhe krimit kundër njerëzimit të kryer nga shteti i Serbisë në Kosovë. Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë. Për fat të keq ende ata të cilët kanë kryer këtë krim kundër njerëzimit dhe gjenocidin nuk janë hetuar dhe nuk kanë dalë para drejtësisë as lokale, as ndërkombëtare. E ardhmja nuk ndërtohet duke mohuar krimet, e madje duke i etiketuar apo fyer edhe të vrarët civilë në Kosovë, siç mund të ndodhë edhe diku tjetër që kanë kryer krime anekënd edhe në Bosnje, edhe në Kroaci. E ardhmja ndërtohet vetëm duke pranuar përgjegjësinë, e në të njëjtën kohë duke kërkuar falje lidershipi i Serbisë për krimet që ka kryer në shtetin e Kosovës. Për fat të keq, duhet të them edhe më zhgënjim se edhe heshtja e ndërkombëtarëve, mosvizita e tyre sidomos këtu në Reçak, që është e ritheksoj pika kulminante e masakrave të shtetit të Serbisë, i ka hapur gojën dhe e ka amnistuar në një formë a formë tjetër edhe lidershipin aktual të Serbisë që të pretendojë dhe me krenari të mohojë krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin në Kosovë”, u shpreh presidenti Thaçi.