Thaçi në Berlin ia numëroi Serbisë të gjitha pengesat që po ia bën Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalimin e tij para përfaqësuesve të Ballkanit Perëndimor në Samitin e Berlinit, ka treguar në detaje të gjitha pengesat që Serbia po ia bën Kosovës, shkruan lajmi.net.

Marketing

Në fjalimin e tij, Thaçi, ka theksuar edhe marrëveshjet të cilat janë arritur në Bruksel nga dialogu Kosovë-Serbi, por që kjo e fundit nuk i ka zbatuar asnjë herë.

Po ashtu, Thaçi ia ka bërë të qartë Serbisë se nuk do ta lejojë që të krijojë një “Republika Srbska”, dhe se dialogu do të vazhdojë pa asnjë kusht.
Një pjesë nga fjalimi i presidentit Hashim Thaçi në Samitin e Berlinit lidhur me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë:
Më lejoni që edhe njëherë të them se nuk mund ta theksoj mjaftueshëm rëndësinë e këtij takimi të sotëm, i cili po ndodh në një periudhë shumë delikate për rajonin, dhe sidomos të relacioneve tepër të tensionuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përkundër faktit se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ngjan një maratone shumë të vështirë dhe plotë pengesa, unë them që dialogu mbetet rruga e vetme për të arritur paqe dhe pajtim.

Për më tepër, marrëveshja e vitit 2013 dhe të gjitha marrëveshjet tjera të arritura pastaj, kanë përmirësuar jetën e qytetarëve të dy shteteve.

Fatkeqësisht, jo të gjitha marrëveshjet e arritura janë zbatuar në tersi.

Serbia ka dështuar të zbatoj marrëveshjen për Energji, atë për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (IBM) dhe ka pamundësuar hapjen e urës mbi lumin Ibër të Mitrovicës, e cila bashkon qytetin e ndarë dhe qytetarët.

Gjithashtu, me veprimet e veta destruktive, Serbia ia ka pamundësuar Kosovës që ta zbatoj në praktikë Marrëveshjen për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draft statutit të Asociacionit i cili përbëhet nga përfaqësuesit e komunitetit serb që jeton në Kosovë, në përputhje me udhëzimet dhe rekomandimet e Serbisë, ka dështuar në mënyrë të qëllimshme që ta kryej punën e vet në përputhje me marrëveshjen.

Sigurisht, Serbia vazhdon të akuzoj Kosovën për mos zbatimin në praktikë të kësaj marrëveshje, mirëpo të gjithë duhet ta kenë të qartë se institucionet e Republikës së Kosovës janë të gatshme që implementimi i saj të ndodhë pa asnjë vonesë, mirëpo gjithnjë në përputhje me marrëveshjen dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Besoj se të gjithë e keni të qartë se pse Serbia nuk dëshiron që Asociacioni të themelohet ashtu siç e parashikon Marrëveshja dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Qëllimi është i qartë, Serbia dëshiron që në pjesën veriore të Kosovës, të themelohet një Asociacion i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, i njëjtë me modelin e Republikës Serbe në Bosnje.
Thaçi ka përmbyllur fjalimin duke thënë se Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizim dhe pajtim me Serbinë.