Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se Kosova do të përfaqësohet nga liderët e saj në çdo takim ndërkombëtar ku merr ftesë për pjesëmarrje, pa marrë parasysh mospajtimet e Serbisë.
Këto komente, Thaçi i bëri në Forumin Frankofon të Investimeve që po mbahet në Prishtinë, konferencë që bashkon kompani të ndryshme nga vendet frankofone për të diskutuar bashkëpunimin ekonomik.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, më 11 nëntor do të jetë nikoqir i shumë liderëve botërorë, në manifestimin e përvjetorit të 100-të të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.
Kosova do të përfaqësohet nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili theksoi se çdo mundësi e pjesëmarrjes jashtë vendit do të shfrytëzohet për të promovuar vendin dhe siguruar njohje.
“Kosova me liderët e saj do të marrë pjesë kudo që është e ftuar, me mesazhet më të mira të paqes, pajtimit, të perspektivës së Kosovës për NATO dhe Bashkim Evropian. Liderët aty janë të ftuar prej presidentit francez Macron dhe të gjithë ata që janë aty do të kenë mundësi të shihen me njëri tjetrin, por një gjë e them, atje nuk do të ketë dialog Kosovë-Serbi, por do të jetë një mundësi e afirmimit të shtetit të Kosovës. Edhe pjesëmarrja e presidentit të Serbisë është nën autoritetin e presidentit francez dhe jo të Kosovës. Serbia mund të ketë vërejtje në këtë drejtim, por është punë e tyre”, tha Thaçi.
Thaçi, po ashtu bëri thirrje për unitet në Kuvendin e Kosovës, për të zgjidhur çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, përmes një platforme të përbashkët.
“Sa i përket dialogut, besoj se Kuvendi duhet t’i kryej punët e veta, duhet të tejkalohet dhe ftoj spektrin politik të Kosovës, pa dallim, ata që janë në Qeveri dhe ata në opozitë, ta tejkalojnë këtë ngërç politik dhe institucional dhe t’i hapin perspektivë vendit. Presidenti do t’i kryej punët e veta ndërsa ftoj spektrin politik t’i marrë përgjegjësitë e veta që i takojnë, që të ofrohen sa më tepër, të kenë një platformë të përbashkët shtetërore”, deklaroi ai.