Thaçi në FSK: Ju jeni krenaria dhe nderi i Kosovës

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mbrëmë e ka pritur Vitin e Ri 2020 me ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë.

Marketing

Presidenti Thaçi me këtë rast uroi të gjithë ushtarët e FSK-së, të cilët ishin në detyrë.

Kreu i vendit me rastin e ndërrimit të moteve i përgëzoi ata për punën e shkëlqyer që e kanë bërë.

“Jeni krenaria dhe nderi i shtetit të Kosovës, i qytetarëve të Kosovës. Është një e arritur e jashtëzakonshme themelimi i Ushtrisë”, u shpreh presidenti.

Ai më tej tha se si president i vendit, por edhe Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës ndihet shumë krenar kur qytetarët e Kosovës festojnë në Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane, ushtarët e FSK-së janë krye të obligimeve dhe përgjegjësive për ruajtjen e territorit të Kosovës, kufijve të Kosovës, forcimit dhe avancimit të ushtrisë sonë në rrugëtim për NATO.

“Kam besim të fuqishëm se siç jeni institucioni më kredibil i shtetit të Kosovës, në këtë rrugëtim do jenë edhe institucionet tjera”, u shpreh presidenti derisa i uroi ata personalisht, familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët e vendit që të realizojnë të gjitha objektivat, dëshirat dhe vullnetet.

“Për vitin e ardhshëm besoj fuqishëm se do jetë edhe më i suksesshëm sesa ky vit, e gjithmonë ju do jeni në krye të përgjegjësive dhe obligimeve dhe të jeni të sigurt se do ta keni gjithmonë shtetin afër jush dhe mbështetjen e vazhdueshme që me të vërtetë të jeni ushtri moderne, ushtri e standardeve perëndimore qysh jeni, dhe të jeni në krye të misioneve humanitare, paqësore edhe në Kosovë, edhe në rajon, edhe kudo në botë”, ka theksuar ai.

Thaçi një falënderim të veçantë u tha atyre për angazhimin jashtëzakonshëm, rekord dhe shumë profesional me rastin e tërmetit në Shqipëri.