“Thaçi nuk ka urdhëruar atentate” – Zbardhet edhe më shumë deklarata e Everts që shfajëson krerët e UÇK-së

Avokati i ish-presidentit Thaçi në Hagë, Gregory Keohe, ka dhënë detaje të reja për deklaratën shfajësuese për krerët e UÇK-së të dhënë nga ish-shefi i OSBE-së në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Daan Everts.

Marketing

Everts deklaratën në fjalë e ka dhënë në Prokurorinë e Speciales mirëpo që kjo e fundit e ka mbajtur të fshehur të njëjtën deri tash së fundmi kur me kërkesë të mbrojtjes dhe të vet ish-shefit të OSBE-së u zbulua si material në kuadër ta fazës paragjyqësore, shkruan lajmi.net.

Në deklaratën e tij, Everts ka thënë se aktivitetet e mundshme kriminale të kryera pas qershorit të 1999 në Kosovë ishin nga individë që synim kishin përfitimet personale, dhe asnjëherë nga strukturat udhëheqëse shqiptare.

“Pikëpamja e EVERTS-it ishte që aktivitetet kriminale të kryera pas qershorit 1999 nga individët që kërkuan një shans për të përfituar përfitime personale nuk ishin pjesë e një fushate të organizuar nga udhëheqja shqiptare. …Megjithatë, për mendimin tim, do të ishte e gabuar ta quajmë sistematik dhe të organizuar konkludimin se ishte drejtuar nga lart”, ka thënë Everts sipas një shkrese të avokatit Keohe të cilën e ka parë lajmi.net.

Everts në deklaratën e tij ka thënë se s’ka pasur asnjë motiv pse ish-presidenti Thaçi, atë kohë drejtor politik i UÇK-së do të kishte dashur që UÇK-ja të ishte e përfshirë në dhunë etnike ndaj civilëve.

“Sipas mendimit tim, ekzistonte një klimë e lejimit dhe mosndëshkimit që lejonte të ndodhin krime kundër pakicave, por edhe ndaj shqiptarëve. Në mendimin tim, këto vepra ishin të lejuara, por jo të drejtuara nga lart. Nuk mundem të shoh ndonjë arsye apo motiv pse THAÇI do të kishte dashur që UÇK-ja të angazhohej në dhunë etnike, pasi do të dëmtonte pozitën e tij ndërkombëtare. Sipas mendimit tim, ka pasur një shkëputje mes krimeve dhe lidershipit shqiptar të Kosovës qendrore. As THAÇI dhe as Agim ÇEKU nuk ishin të fortë apo liderë kontrollues”, thuhet në deklaratën e Everts.

Tutje sipas Everts, Thaçi kishte bërë disa deklarata ku dënonte dhunën, por që problemi qëndronte tek transmetimi i këtyre deklaratave, pasë parasysh mungesën e mediave dhe instrumenteve kontrolluese shtetërore, siç është policia.

“Përmenda se THAÇI kishte bërë disa deklarata për të dënuar aktet e dhunës. Megjithatë, sipas meje, problemet kryesore ishin mungesa e mediave dhe mekanizmave të zbatimit, siç është policia. Por nuk besoj se THAÇI ka porositur atentate. Unë e bazoj këtë mendim në ndërveprimet e mia me THAÇIN dhe mungesën e provave. Unë besoj se ai flet me dy zëra, siç u shpjegua më lart në paragrafin 34, por nuk mund ta besoj në fakt se ai urdhëronte atentate dhe më fliste ashtu siç bënte dikur. Unë i pashë krimet më shumë si rezultat i një klime mosndëshkimi dhe lejuese dhe jo si rezultat i inkurajimit aktiv”, thuhet në një pjesë të deklaratës së Everts.

Tutje, Everts ka përmendur një rast që sipas tij dëshmon se Thaçi nuk ishte komandant total i UÇK-së dhe se ushtria ishte pa strukturë.

Në të përmendet edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova si dhe marrëveshja e Rambujesë.

“RUGOVA kishte mbetur në aeroplan, ndërsa THAÇI kishte shkuar për të vizituar fushën e UÇK-së dhe komandantët për të parë nëse ai mund të nënshkruante marrëveshjen e Rambujesë. Kjo tregonte se THAÇI nuk ishte komandant total dhe se UÇK-ja ishte kryesisht e pastrukturuar në atë kohë. Mungesa e kontrollit total të THAÇI-t është arsyeja pse UÇK-ja kishte në role udhëheqëse njerëz si Drini dhe Remi e Ramushi”, thuhet në një pjesë të deklaratës së Everts që e ka zbardhur avokati Keohe.

Kujtojmë se deklarata e Everts, sipas mbrojtjes së Thaçit do të kishte pasur një rol jetik për lirimin e krerëve të UÇK-së nga paraburgimi nëse ajo do ishte zbuluar me kohë nga Prokuroria.

Përveç kësaj, mbrojtja pretendon se Prokuroria nuk e ka zbuluar me kohë deklaratën e ish-ambasadorit Everts derisa kjo është kërkuar nga ai.