Nën presionin e administratës Trump, kreu i shtetit kosovar është zotuar të ndërmarrë një hap madhor drejt zgjidhjes së tensioneve në rritje me Serbinë.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë, thotë Washington Post, i ka drejtuar një apel të pazakontë të drejtpërdrejtë liderëve serbë dhe kosovarë, pasi 10 vjet armiqësi kërcënojnë të mbërrijnë piken e vlimit dhe në një kohë kur siç thuhet ne artikull, administrata e tij ndjek një kanal të fshehtë për të zbutur tensionin me Beogradin e mbështetur nga Moska.
Thaçi, sipas gazetës prestigjoze, zhvilloi një udhëtim diplomatik në Berlin muajin e kaluar, i cili nuk u bë publik. Në kryeqytetin gjerman, ai u takua me ambasadorin e SHBA, Richard Grenell, një njeri i besuar i Trump.
Thaçi duket është zotuar të ndryshojë kursin për tarifat ndëshkuese të vendosura mbi të gjitha mallrat serbe. Në një prononcim per Washington Post të premten, të kryer në gjuhën angleze përmes email-it, Thaçi është shprehur i gatshëm të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i hapet rruga e arritjes së një Marrëveshjeje përfundimtare paqeje me Serbinë.
Por Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala deklaroi se Thaçi nuk mund të bëjë premtime të tilla për heqjen e taksës ndaj shtetit të Serbisë, sepse siç deklaroi ai, taksën e ka vendosur Qeveria e Kosovës me propozimin e tij si ministër dhe jo Presidenti.
Shala tha per mediat vendase se përsa kohe nuk eliminohen arsyet që e shtynë Qeverinë e Kosovës të ndërmarrë një hap të tille, taksa nuk hiqet.