Përdorimi i çështjes së “20 përqindëshit” në Kushtetutë nga ana e partive tjera, për Menduh Thaçin e PDSH-së është i gabuar sepse kështu po “armatosen” kundërshtarët e idesë evropiane.
“Politika është për njerëz të mençur, nuk është për budallenj. Budallenjtë në politikë janë shumë më të rrezikshëm sesa tradhtarët. Në momentin që ti një projekt tëndin, një ide tënden e lejon, në kontekst kohor, gjeostrategjik, që të bëhet armë e armikut tënd, ti je në grupin jo të tradhtarëve, por të të tjerëve dhe bën shumë gabim”, thotë Thaçi.
Sipas Thaçit, për kontekstin kohor më e rëndësishme dhe me prioritet është çështja e bullgarëve dhe futja e tyre në Kushtetutën e vendit, ndërsa sa i përket “20 përqindëshit”, kjo mund të presë pak kohë, por me garancën e faktorit politik shqiptar.