Thaçi: Qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të jetojnë në një shtet

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, sot ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është e sigurt me anëtarësim në NATO dhe BE, por sipas tij po krijohen rrethana të reja e që zgjidhja më e mirë do të ishte që Parlamenti i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat për të jetuar në një shtet të përbashkët pa kufij.

Marketing

“Por po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrnin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha Thaçi.

Ai tha se është për bashkimin e të dyja shteteve sepse, sipas tij, BE-ja e diskriminon Kosovën dhe e ngadalëson të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

“Derisa BE-ja e diskriminon Kosovën dhe e ngadalëson të ardhmen evropiane të Shqipërisë, rruga më e mirë dhe më e fuqishme është respektimi i vullnetit të të dyja vendeve tona të ndara padrejtësisht që tani e tutje të jetojnë si një shtet, duke e bashkuar kombin tonë. Bashkimi kombëtar është e drejtë dhe vullnet historik i qytetarëve tanë”, deklaroi Thaçi.

Thaçi këto deklarata i dha sot gjatë shënimit të 20 vjetorit të operacionit “Shigjeta” të Ushtrisë Çlirimtare të Kovës (UÇK) gjatë konfliktit të Kosovës.

Marketing