Thaçi “shpërthen” ndaj Berishës: Kufomë politike që ka punuar kundër Kosovës, ja si një ish-kryeministër shqiptar më vuri në tryezë planin e Gjinxhiç për kufijtë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shpërthyer dje në akuza të forta ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha. Ky u fundit e ka kritikuar ashpër Thaçin, por idenë e korrigjimit të kufijve, por dje ka ardhur përgjigjja e kreut të shteti kosovar. Në studion e “Opinion”, ai akuzoi Berishën se ka punuar kundër interesave të Kosovës. “Unë çuditëm si zoti Berisha nuk ka pasur guximin qytetar dhe as politik ta kundërshtojë opinionin e këtij projekti nga presidenti Rugova, akademiku Qosja dhe Daci. Zoti Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës së Kosovës, paralele me luftën e Millosheviçit ne terren, ka qenë dhe propaganda e zotit Berisha për UÇK-në marksiste-leniniste etj. Kam shkuar në zyrën e tij pas lufte dhe kemi pasur komunikim. Kur kam qenë kryeministër, kemi pasur respekt reciprok. Tani nuk kuptoj dhe shprehem i keqardhur për gjendjen e tij emocionale, si gërmadhë e skenës politike shqiptare”, ka thënë Thaçi. Ai u pyet dhe për rolin e kryeministrit Rama në këtë mes, i cili po ashtu ka rënë pre e sulmeve. “Roli i Ramës ka qenë shumë konstruktiv, shumë bashkëpunues, pa marrë anë dhe pa interferuar. Shkoi në Beograd dhe foli si asnjëherë një lider shqiptar, që i tha në sy Vuçiçit që të njohë Kosovën”, tha ai.

Marketing

Thaçi goditje Metës

Presidenti kosovar ka goditur ashpër dhe presidentin Ilir Meta. Një ditë më parë, gazeta tregoi se si Thaçi kritikoi Metën për ftesën e serbëve në samit, ndërsa dje presidenti ka refuzuar të ulet në një tryezë me ta. Pas mbylljes së Samitit “Brdo-Brijonit”, Meta ka shtruar një drekë. Por Thaçi ka refuzuar të marrë pjesë për shkak se në tryezë ishin presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe ai i Bosnjës Milorad Dodik, i cili përfaqëson serbët. Në intervistë ai ka dhënë dhe argumente e tij. “Ishte më tepër aspekt teknik, por në të njëjtën kohë vlerësoj se të takohem me presidentët e dy vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën është e panevojshme, prandaj që të ishte sa më relaksuese atmosfera, ishte e panevojshëm vazhdimi i debatit. Pastaj është edhe pozicioni armiqësor që Bosnja-Hercegovina, nganjëherë mban një pozicion më të ashpër se Serbia. Bosnja duhet të ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës”, ka thënë Thaçi. Por ai duket se ka dërguar dhe një mesazh në distancë ndaj kreu të shtetit. Thaçi u shpreh se në vitin 202 ka qenë një ish-kryeministër shqiptar që i ka vënë në tryezë një projekt për ndarjen e Kosovës. Sipas tij, ky ka qenë një projekt i hartuar nga ish-kryeministri serb Zoran Gjinxhiç. “Një nga kryeministrat e Shqipërisë, në vitin 2002 ka ofruar projektin e Gjingjiçit për ndarjen e Kosovës. E kam nxjerrë nga zyra”, tha Thaçi. Në të vërtetë, në vitin 2002, Shqipëria ka pasur plot tre kryeministra. I pari ka qenë Ilir Meta, i cili ka drejtuar qeverinë nga shtatori i vitit 2001 deri në 29 janar 2002. Më pas, kryeministër ka qenë Pandeli Majko në periudhën 22 shkurt 2002 – 25 korrik 2002, i pasuar nga Fatos Nano prej 29 korrikut.

Thaçi kundër Berlinit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka qenë i prerë kundër negociatave me Beogradin pa praninë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet vetëm me ndërhyrjen e Uashingtonit. “Shpresoj që Samiti i Parisit të jetë më mirë i organizuar dhe të prodhojë substancë dhe gjithashtu shpresoj sepse kam qenë vetë i tmerruar kur u informova se në Berlin nuk kanë qenë të informuar organizatorët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj e ritheksoj edhe një herë sot se pa rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk mund të ketë as dialog të suksesshëm dhe e lëre mos ndonjë marrëveshje të apo ndonjë implementim. Askush nuk duhet ta mendojë se Kosova mund të ketë fatin e modelit të disa republikave siç ndodhi në Bosnjë”, deklaroi Thaçi.

Marketing