Thaçi: Sot u diskutuan çështjet teknike edhe nesër vazhdon intervistimi

Pas gjashtë orësh ka përfunduar intervistimi i presidentit Hashim Thaçi në Hagë.

Marketing

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas intervistimit të tij përreth gjashtë orë nga Prokurori Special i Dhomave të Specializuara, me seli në Hagë, është deklaruar për medie.

Ai ka bërë të ditur se sot ka qenë vetëm çështje fillestare ku janë sqaruar disa çështje teknike, raporton lajmi.net.

Thaçi ka bërë të ditur se edhe nesër do të vazhdojë intervisitmi i tij.

“Unë sot kam dëgjuar shkëmbimet e teknaliteteve të ndryshme mes avokatit, zotëri Prosper dhe prokurorëve. Do të thotë çështje sqaruese teknike e në të njëjtën kohë edhe ato fillestare të interesimit të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Kështu që do të vazhdojë edhe nesër”, tha Thaçi.

Theksojmë se ara se të hynte në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, presidenti Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm dhe aktakuzën për krime lufte, e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill u ka dërguar Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën presidenti Thaçi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe të tjerë, akuzohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat: vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza ndaj tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.