Kosova shpreh solidaritetin me Shqipërinë për tërmetin. Presidenti Hashim Thaçi thotë se “me shqetësim mora lajmin për pasojat e tërmetit që ndodhi sot në Shqipëri. Në biseda telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ju shpreha solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës, si dhe ua ofrova ndihmën tonë të pakursyer për tejkalimin e situatës”.
Thaçi gjithashtu thotë se ka kërkuar nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie.
“Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë” shkruan Thaçi.
Kryeministri italian telefonon Ramën, i gatshëm për të ndihmuar Shqipërinë
Kryeministri i vendit, Edi Rama pas tërmeteve të forta që prekën vendin është telefonuar nga kryeministrin italian Giuseppe Conte, i cili i ka shprehur solidaritetin e plotë të Italisë dhe gatishmërinë për të mbështetur Shqipërinë në përballimin me pasojat e tërmetit të rëndë që ra mbi vendin tonë.
Pak më parë shefi i qeverisë anuloi vizitën e planifikuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Aktualisht Edi Rama ndodhet në Frankfurt të Gjermanisë dhe nga ora në orë pritet të mbërrijë në Tiranë.