“City Tree” ose “Pema e qytetit” e cila para tre vitesh u vendos në Tetovë për të pastruar ajrin në qendër të Tetovë është jashtë funksionit. E njëjta nuk ka dha efektet e pritshme. Lulet që janë pjesë e konstruksionit janë tharë. Ende nuk ka asnjë informacion se pse ka ndodhur një gjë e tillë. Është problem klima apo mosmirëmbajtja që ka sjell deri në këtë situatë “Pemën e qytetit” që të jetë jofunksionale. Pritjet janë që në muajin maj ose në prill të bëhet zëvendësimi i tërë saksive me lule, por a do të mbijetojë këtë nuk mund ta thotë askush. “Sistemi për ujitje ka qenë digjital dhe në momentin kur ka pasur mungesë të ujit kemi marrë sinjal dhe kemi dërguar ujë. Nuk e dimë se pse ka ndodhur kjo, për shkak të klimës apo diçka tjetër është në pyetje, nuk kemi informacion. Ne si ndërmarrje mund të them lirisht se e kemi mirëmbajtur. E kemi informuar shoqatën Eko Svest për këtë dhe kemi marrë përgjigje nga ata se duhet të ripërtërihen të gjitha lulet në saksi, sepse e njëjta është jashtë përdorimit. Sipas premtimeve, ata do të sjellin komplet garniturën e re dhe do të vendoset, unë shpresoj se do të mbijetojë”, tha Xhelal Ceka, drejtor i NPK-së në Tetovë.
Ai thekson se sipas vlerësimeve të ekspertëve, nuk është problemi tek uji por është problem tjetër. Gjatë promovimit të projekti “City Tree” u tha se do të ndihmojë në luftën kundër ndotjes së ajrit në Tetovë, me mundësinë që projekti në fjalë të implementohet edhe në qytetet tjera. Problem në vete është edhe vjedhja e të njëjtëve nga qytetarë të pandërgjegjshëm, të cilët i marrin për përdorim në shtëpitë e tyre. Ky filtër bimor kompenson ndotjen e 417 automjeteve në nivel vjetor dhe mund të përshtatet në çdo mjedis jetësor. “City Tree” ka efektin e njëjtë sikur të ishin mbjellë 275 dru në Tetovë. Falë paneleve diellore dhe sistemit për të absorbuar ujin e shiut, kjo strukturë është praktike dhe rezistuese, ndërsa e njëjta ka nevojë mirëmbajtje për vetëm disa orë në vit. Konstruksioni përmban dhe sensore për të mbledhur të dhëna të rëndësishme për mjedisin jetësor dhe klimën me qëllim për të rregulluar dhe kontrolluar të gjithë strukturën dhe për të siguruar mbijetesën e bimëve. Pema e qytetit është lënë në mes të qytetit që më shumë përdoret si ulëse për kalimtarët e rastit se sa një pastruese e ajrit dhe është larg qëllimit për çka ishte vendosur në fillim dhe ishte prezantuar si një projekt mjaft efikas kundër ndotjes.
Ajo që vërehet përreth saj është edhe hedhja e mbeturinave dhe dëmtimi i luleve që ishin vendosur. “City Tree” ose në përkthimin tekstual “Pema e Qytetit”, është një strukturë vertikale e myshqeve, me një lartësi prej 4 metrash, një gjerësi prej 3 metrash dhe një thellësi prej 60 centimetra. “City Tree”, i cili është instaluar në pjesën qendrore të qytetit, paraqet një strukturë vertikale të bimëve, të cilët bëjnë thithjen e pluhurit dhe kanë aftësinë të neutralizojnë 240 ton dyoksid karbon në vit. (koha.mk)