“The Washington Post” boton shkrimin e fundit të Khashoggit përpara zhdukjes: si po na mbyllet goja!

The Washington Post ka publikuar një shkrim të gazetarit dhe publicistit të zhdukur saudit Jamal Khashoggi, në të cilin ai thotë se qeverive të Lindjes së Mesme “u është lënë dorë e lirë për t’ua mbyllur gjithnjë e më shumë gojën mediave”.

Marketing

E përditshmja Washington Post e botoi shkrimin në fjalë të mërkurën, më shumë se dy javë pasi Khashoggi u pa për herë të fundit duke hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, si dhe vetëm pak orë pasi u pretendua në një raportim të frikshëm të gazetës turke Yeni Safak, se zyrtarët sauditë ia kanë prerë atij gishtat e më pas i kanë prerë edhe kokën brenda konsullatës, teksa e fejuara e priste përjashta. Qeveria saudite si dhe princi i kurorës, Mohamed bin Selman kanë mohuar çdo aludim për përfshirjen e tyre në këtë ngjarje.

Në një shënim të vendosur në krye të shkrimit, redaktorja e rubrikës Post Global Opinions, Karen Attiah thotë se asaj i është dërguar shkrimi në fjalë nga përkthyesi dhe asistenti i Khashoggit, një ditë pas njoftimit për zhdukjen e tij. Khashoggi nisi të shkruante në rubrikën e opinioneve të së përditshmes The Washington Post në shtator të vitit 2017. Shkrimet e tij kishin në qendër kritikat ndaj princit dhe qeverisjes së Mbretërisë Saudite.

Në shkrimin me titull “Botës arabe i nevojitet më së shumti fjala e lirë”, Khashoggi rrëfen burgosjen e një shkrimtari të njohur, që kishte folur kundër qeverisjes saudite, si dhe përmend një ngjarje, ku qeveria egjiptiane kishte marrë në dorë kontrollin e një gazete.

“Këto akte nuk shihen më me sy të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Ato shoqërohen me censurë e menjëherë më pas edhe me heshtje”- shkruan ai.

“Në këtë mënyrë, qeverive arabe u është lënë dorë e lirë që t’ua mbyllin gojën mediave gjithnjë e më shumë”, vazhdon ai.

Presidenti Donald Trump, i cili në fillim reagoi ashpër ndaj qeverisë saudite për ngjarjen, por që më pas u zbraps, deklaroi të mërkurën se Shtetet e Bashkuara i kërkonin Turqisë që t’u dorëzonte të gjitha regjistrimet në audio apo video, që ajo ka në lidhje me vrasjen e pretenduar të Khashoggit.

Në shkrimin e tij, Khashoggi, i cili u largua për në Shtetet e Bashkuara pas ardhjes në qeverisje të Princit të Kurorës, flet gjithashtu edhe për praktikën e përdorur nga qeveritë e Lindjes së Mesme, atë të bllokimit të internetit, në mënyrë që të kontrollojnë maksimalisht informacionin që shihet nga shtetasit e tyre.

“Bota arabe po përballet me versionin e saj të ‘Perdes së hekurt’, e imponuar kjo, jo nga faktorë të jashtëm, por nga strukturat vendase që rivalizojnë për pushtet.”- shkruan Khashoggi.

Ai lavdëron të përditshmen The Washington Post për përkthimin që u ka bërë shumë prej shkrimeve të tij nga anglishtja në arabisht dhe thotë se është e rëndësishme që shtetasit e Lindjes së Mesme të mund të lexojnë për demokracinë që ekziston në Perëndim. Ai thotë gjithashtu, se është e një rëndësie jetike që arabët të kenë një platformë, ku zërat e tyre të mund të dëgjohen.

“Ne vuajmë nga varfëria, keqqeverisja dhe nga mungesa e arsimimit”, shkruan Khashoggi. “Nëpërmjet themelimit të një forumi të pavarur ndërkombëtar, larg ndikimit të qeverive nacionaliste që përhapin urrejtje përmes propagandës, njerëzit e zakonshëm në botën arabe do të mund të adresonin problemet strukturore me të cilat përballen shoqëritë e tyre”, shprehet ai.

“E përditshmja The Washington Post priti pak kohë përpara se ta publikonte shkrimin e fundit të Kashogit, me shpresën se ai do të rishfaqej”, thotë Attiah. “Por tashmë më duhet ta pranoj, se kjo gjë nuk ka për të ndodhur”, shton ajo.

Ajo e mbyll shënimin e saj duke thënë: “Ky shkrim tregon më së miri angazhimin dhe pasionin e Khashoggit për lirinë në botën arabe, liri për të cilën, me sa duket, ai dha edhe jetën e tij. Do t’i jem përjetësisht mirënjohëse që ai zgjodhi The Washington Post, si strehën e tij të fundit gazetareske, rreth një vit më parë, e që na e dha mundësinë për të punuar me të.” /tesheshi.com/

Marketing