Themeluesi i Huawei-t: Bota nuk mund të jetojë pa ne

Themeluesi i gjigantit kinez të telekomit Huawei i dënoi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara “për të futur në listën e zezë” kompaninë e tij, duke thënë se bota nuk mund të funksionojë pa të dhe teknologjinë e tij.

Marketing

“SHBA-ja nuk mund të na shtypë”, tha Ren Zhengfei në një intervistë për BBC-në.

“Bota nuk mund të jetojë pa ne, sepse jemi më të avancuar”, tha ai.

Muajin e kaluar, Departamenti amerikan i Drejtësisë ngriti një mori akuzash penale kundër Huawei-t.

Akuzat përfshijnë mashtrimin bankar, pengimin e drejtësisë dhe vjedhje të teknologjisë nga kompania amerikane T-Mobile.

Ren, duke folur për BBC-në, dënoi edhe arrestimin e vajzës së tij, Meng Wanzhou.

Meng, e cila është edhe kryeshefe e financave në Huawei, është arrestuar në Kanada në dhjetor, me kërkesë të SHBA-së, për, siç është thënë, shmangie të sanksioneve kundër Iranit.

Huawei është një nga ofruesit më të mëdhenj të pajisjeve dhe shërbimeve të telekomunikimit në botë.

Por, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë shprehur shqetësim se Qeveria e Kinës mund ta përdorë teknologjinë e tij për t’i zgjeruar kapacitetet e spiunimit, edhe pse firma këmbëngul se nuk ka kontroll qeveritar.