Thirrja publike  e ministrisë së Energjetikës 1.000 denarë në muaj për rrymë, kush ka të drejtë dhe si të aplikojë?

Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale ka publikuar një Shpallje Publike për mbështetje financiare për energjinë elektrike të konsumuar për vitin 2025, e dedikuar për personat që i përkasin kategorisë së konsumatorëve të cenueshëm të energjisë. Kjo masë është pjesë e Programit për mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm të energjisë për vitin 2025 , “me qëllim të ofrimit të mbështetjes së drejtpërdrejtë për qytetarët që kanë më shumë nevojë”, thonë nga kjo ministri.

Kush ka të drejtë për mbështetje financiare?

Mbështetja financiare është menduar për kategoritë e mëposhtme të qytetarëve:

-Familjet me një ose më shumë fëmijë me aftësi të kufizuara, përfitues të ndihmës së posaçme sipas Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve, të ardhurat totale neto të të cilave në vitin 2024 në baza mujore nuk e kanë kaluar shumën prej:

  • 42.000 denarë për familje me dy anëtarë,
  • 60.000 denarë për familje me tre anëtarë,
  • 80.000 denarë për familje me katër ose më shumë anëtarë.

-Kujdestarët të cilët kujdesen për një ose më shumë persona në familjen e tyre dhe janë shfrytëzues të kompensimit për përkujdesje sipas Ligjit për mbrojtje sociale, ndërsa të ardhurat totale neto në nivel mujor nuk e kalojnë pragun e përcaktuar sipas numrit të anëtarëve në amvisëri (nga 42.000 deri në 160.000 denarë).

Shuma dhe kohëzgjatja e mbështetjes – Ministria jep mbështetje financiare duke e reduktuar faturën mujore për energjinë e konsumuar në shumë prej 1.000 denarë në muaj, duke llogaritur nga dita e dorëzimit të kërkesës. Mbështetja do të jepet për 12 muaj ose deri në shterimin e fondeve të planifikuara sipas programit.

Personat që tashmë përdorin ndihmën minimale të garantuar dhe marrin kompensim monetar për energji në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen Sociale, si dhe personat e moshuar që përdorin mbështetje financiare në përputhje me Ligjin për sigurimet shoqërore të të moshuarve, nuk përfshihen në këtë masë.

Procedura e aplikimit – Afati për paraqitjen e kërkesave është 30 ditë nga dita e publikimit të shpalljes publike. Të interesuarit duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar të kërkesës (Formulari 1 ose Formulari 2, varësisht nga kategoria) i disponueshëm në arkivin e Ministrisë ose në faqen zyrtare: https://www.ea.gov.mk/

Me kërkesën, duhet të dorëzohen edhe dokumentet e mëposhtme:
1. Deklaratë e vërtetuar nga noteri për saktësinë e dokumentacionit të bashkëngjitur;
2. Fotokopje e Vendimit për të drejtën e fituar në ndihmë të veçantë ose ndihmë për përkujdesje;
3. Fotokopje e faturës së fundit për energjinë elektrike të konsumuar;
4. Fotokopje e letërnjoftimit të aplikantit;
5. Dëshmi për anëtarët e familjes.

“Ministria fton të gjithë qytetarët që plotësojnë kushtet që të aplikojnë në kohë dhe të përfitojnë nga kjo mundësi për të ulur kostot e energjisë elektrike.
Për më shumë informata vizitoni ueb faqen e Ministrisë: www.ea.gov.mk ose kontaktoni [email protected] për pyetje në lidhje me shpalljen publike”,thonë nga Ministria.

Kujtojmë se nga 1 janari 2025, çmimi i energjisë elektrike për konsum mesatar në të katër blloqet është rritur me 0.92 përqind. Në bllokun e parë çmimi u rrit me 0.68 përqind, në bllokun e dytë me 0.90 dhe në bllokun e tretë me 1.93 përqind. Rritja e çmimit për bllok është më e madhja në bllokun e katërt, me 2.24 përqind.

Ndryshe, në janar dhe shkurt të këtij viti, një pjesë e madhe e amvisërive kanë marrë fatura astronomike të rrymës. Komisioni Rregullator për Energjetikë (KRRE) thotë se “EVN Home” është e obliguar t’i korrigjojë faturat, por situata nuk është se ka ndryshuar.

Për periudhën për muajt dhjetor dhe janar në “EVN Home” janë dorëzuar gjithsej 15.000 kërkesa për korrigjim të leximeve të matësve për matjen e sasisë së shfrytëzuar të energjisë elektrike.

Por, siç thotë kompania, vetëm 2.200 ose 15% e kërkesave për korrigjim janë pranuar dhe për ato është bërë korrigjimi i faturave. Nga atje thonë se numri i ankesave është 20 përqind më i ulët krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2023 dhe muajin janari të vitit 2024.

Marketing