Çdo qytetarë apo kompani që dëshiron të ndërtojë centrale fotovoltaike në tokë private, mund të aplikojë në projektin që do ta publikojë qeveria nga java e ardhshme. Thirrja publike do të jetë e hapur deri në shtator. Sipas zëvendëskryeministrit Koço Angjushev, nuk ka kufizime mbi madhësinë e tokave që pronarët duhet t’i posedojnë. Ata do të duhet vetëm ta konfirmojnë gjendjen e tyre financiare për ta zbatuar projektin.
“Teorikisht 1 m2 mund të instalohet më së paku. Pasi që thuhet prej 0 deri 200 kilovat. Normalisht që askush nuk do të bëj kaq pak. Teorikisht nuk ka kufizime në minimale. Edhe në oborr mundet, gjithkund është e lejuar”, theksoi Koço Angjushev, zëvendëskryeministër për Çështje Ekonomike.
Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi deklaroi se në Maqedoninë e Veriut prodhohet energji e ripërtërirë rreth 18% nga shuma e gjenerimit të energjisë elektrike në përgjithësi.
“Për momentin kemi të instaluara rreth 18 megavat. Që nga pavarësimi i vendit e deri tani, vetëm 18 megavat janë të instaluara. Duke marrë parasysh resurset të cilat i kemi si shtet, ne kemi paraparë që këtë ta rrisim me 200 megavat vetëm nga qendrat e fotovoltaikve”, deklaroi Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ky prioritet zbatohet në sektorin e energjisë përmes politikave që mundësojnë promovimin e burimeve të ripërtërira të energjisë, si dhe promovimin e efikasitetit energjetik.