Thirrjet e tifozëve ne emrin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin i kanë kushtuar shtrenjtë turqve të Fenerbahçe. Gjiganti i futbollit turk është ndëshkuar nga UEFA me gjobë prej 50 mijë Eurosh, si dhe do të ketë mbyllje të pjesshme të stadiumin (të paktën 5 mijë vende) për ndeshjen e ardhshme në gara evropiane.
Në njoftimin e organit më të lartë të futbollit Europian dënimi thuhet se vjen pas “hedhjes së sendeve dhe transmetimit të një mesazhi provokues me karakter fyes, pra thirrje të paligjshme”.
Përmendja e emrit të presidentit të Rusisë nga tifozët turq u bë më 27 korrik, në ndeshjen mes Fenerbahçes dhe Dinamo Kievit, e vlefshme për kualifikimet në Ligën e Kampionëve.
Emri i Putin, që urrehet nga bota për luftën që nisi në Ukrainë dhe për mijëra njerëz, përfshirë këtu edhe fëmijë, të vrarë në Ukrainë, u thirr nga tifozët e Fenerbahçes pasi skuadra ukrainase shënoi gol.
Klubi nga Superliga e Turqisë ishte distancuar nga thirrjet e tifozëve, duke deklaruar se veprimet e tifozëve nuk përfaqësojnë qëndrimet e klubit.