Edicioni vjetor i të përjavshmes britanike “The Economist”, i titulluar “Bota në vitin 2021”, parasheh sfidat me të cilat do të ballafaqohet bota gjatë vitit të ardhshëm. Analizat në këtë edicion të së përjavshmes përqendrohen në temat globale në lidhje me luftërat për vaksinat kundër Covid-19, rimëkëmbjen e përzier ekonomike, arnimin e kaosit të ri botëror, tensionet mes Kinës dhe botës perëndimore, përshpejtimin e aplikimit të sjelljes teknologjike, kufizimet në botën e lirë për shkak të pandemisë.
Megjithatë, në pjesën kushtuar Ballkanit, “The Economist” konstaton se në Maqedoni në vitin 2021, pas 19 vjetësh – përfundimisht do të realizohet Regjistrimi, operacion statistikor shumë i rëndësishëm për parashikimet ekonomike.
“The Economist”: Regjistrimi në Maqedoni do të nxjerrë numrin e vertetë të shqiptarëve
Në analizën e vet, “The Economist” parasheh që rezultatet nga regjistrimi do të tregojnë se numri i banorëve në Maqedoni është rreth 1.5 milion. Edhe pse në statistikat e fundit, prej 20 vjet më parë, figuron e dhëna se rreth dy milionë banorë jetojnë në Maqedoni, analistët e revistës britanike vlerësojnë se shifrat e tyre të parashikuara, nëse konfirmohen nga regjistrimi, nuk do t’i shqetësojnë autoritetet e Maqedonisë.
“Që nga rënia e komunizmit dhe fundi i luftës së përgjakshme jugosllave, njerëzit në Gadishullin Ballkanik kanë më pak fëmijë, ndërsa shumica janë shpërngulur. Largimi i njerëzve të mençur u ndihmua nga pjesë të Evropës të etur për punëtorë, siç është Gjermania, me çka u kanë lehtësuar shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së të marrin leje pune. Fakti që askush nuk di saktësisht se sa njerëz janë larguar, dhe sa kanë mbetur u krijon probleme planifikuesve në vendet ballkanike.
Maqedonia e Veriut nuk ka realizuar regjistrim që nga viti 2002. Që atëherë, Enti për statistika bindshëm ka bërë projekte të bazuara në gjendjet e dikurshme në vend. Statistikat vlerësojnë se në Maqedoninë e Veriut momentalisht jetojnë 2.08 milionë banorë, por numri real mund të jetë rreth 1.5 milion. Në disa vende, siç është Bullgaria, numrat janë të azhurnuara, por pavarësisht nëse numrat janë të besueshme ose jo, tendencat edhe më tutje janë të njëjta. Kombinimi i imigrimit dhe nataliteti i ulët tregojnë se këto shoqëri po plaken, me mosekzistimin e migrimit ndaj këtyre vendeve, numri i popullatës po ulet”, shkruan “The Economist” në analizën e vet vjetore në lidhje me regjistrimet e popullatës që parashihet të mbahen në vendet e rajonit në vitin 2021
Dyshimet e opozitës maqedonase mbi numrin e shqiptarëve
Partia maqedonase në opozitë, VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se mund të mos e njoh rezultatin e regjistrimit të popullsisë, që është paraparë të mbahet në prill të këtij viti.
“Tri pika, përkatësisht tre kushte, janë të paqarta për ne. Së pari, pse të mos publikohet metodologjia e regjistrimit që supozohej të ishte një pjesë e integruar e Ligjit të regjistrimit, për të parë të gjithë? E dyta, pse LSDM-ja është kundër që regjistrimi apo evidentimi i qytetarëve të bëhen me shenjat e gishtave, ngjashëm sikur që përdoren edhe për dokumentet personale dhe e treta, pse LSDM po përpiqet të bëjë një regjistrim në të cilin njerëzit nuk do të kenë besim, qytetarët nuk do të kenë besim dhe institucionet nuk do të kenë besim. Qeveria e ardhshme e VMRO-DPMNE do të kryejë një regjistrim të besueshëm sipas të gjitha standardeve të Eurostat-it”, tha Stefan Andonovski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Dyshimet e opozitës maqedonase kanë të bëjnë në veçanti me numrin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Ajo në vazhdimësi ka ngritur dilemën se shqiptarët janë në numër më pak 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë 2 milionëshe, bazuar në regjistrimin e zhvilluar në vitin 2002.
Paralajmërimi i VMRO-DPMNE-së për mosnjohjen e regjistrimit ka bërë që Lidhja Socialdemokrate (LSDM) në pushtet e akuzoi partinë më të madhe të opozitës për “sjellje anti-shtetërore, të papërgjegjshme dhe shkatërruese, në kundërshtim me interesat kombëtare”.
“VMRO-DPMNE nuk dëshiron të kuptojë se regjistrimi është një operacion statistikor, jo politik, një proces i rëndësishëm për të pasur të dhëna të plota që janë të rëndësishme për krijimin e politikave dhe zhvillimin e mëtejshëm të ekuilibruar të të gjitha sferave në vend. Regjistrimi do të kryhet në përputhje me të gjitha standardet dhe rregulloret e Eurostat-it, në përputhje me praktikat ndërkombëtare”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Vërejtje lidhur me regjistrimin paraprakisht kanë paraqitur edhe partitë opozitare shqiptare duke kërkuar garanci se ky proces nuk do të keqpërdoret në dëm të interesave të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Në Kushtetutë, shqiptarët definohen si popull që flet gjuhë të ndryshme nga maqedonishtja dhe që përbën mbi 20 për qind të popullatës dhe mbi bazë të kësaj janë përcaktuar të drejtat e tyre gjuhësore, të simboleve, të punësimit, përfaqësimit, të drejtat kulturore e kështu me radhë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut pritet që brenda janarit të votojë ndryshimet në ligjin me organizimin e referendumit, me çka edhe nisin përgatitjet për realizimin e këtij procesi statistikor, që do të mbahet 19 vjet pas atij të realizuar në vitin 2002.
Rajonet ku jetojnë shqiptarët kanë rritje natyrore më të madhe
Akademik Izet Zeqiri i është përgjigjur deputetit Apasiev i cili ka deklaruar se shqiptarët janë 18% në Maqedoni.
“Deputeti Apasiev mendon se jemi në vitin 1971 ku “statistikat” i nxjernin shqiptarët 18%, haron se jemi 2021? Ai duhet t’i referohet rritjes natyrore të popullsisë në vend dhe natalitetit të shqiptarëve në krahasim me të tjerët dhe pastaj të jep projeksione statistikore lidhur me numrin e shqiptarëve.
Projeksionet duhet të bazohen në natalitetin, mortalitetin dhe rritjen e popullsisë në vend. Të dhënat dëshmojnë se rajonet ku jetojnë shqiptarët kanë rritje natyrore më të madhe të popullsisë në krahasim me rajonet tjera.
Është kuptueshme se shqiptarët me regjistrimin e popullsisë do të jenë shumë ma shumë se 25.17% sa kanë qenë me regjistrimin e 2002, duke u bazuar në rritjen natyrore të tyre. ”, ka shkruar Izet Zeqiri.
A ka mbi 40 për qind shqiptarë?
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni është riaktualizuar tre vite pas dështimit të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të shumta atë kohë mes partive të koalicionit qeverisës BDI-VMRO lidhur me metodologjinë e zbatimit të këtij procesi.
Dallimet kryesisht kishin të bënin me përfshirjen ose jo, në regjistrim të shtetasve të Maqedonisë që jetojnë më shumë se një vit jashtë vendit, e që besohej se ndikojnë në ngritjen apo uljen e përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni.
Dallime kishte edhe për çështje tjera, si dhe ankesa mbi mospërfshirjen në regjistrim të shumë zonave të banuara më shqiptar. Kryeministri Nikolla Gruevski, i ka shkruar së fundi një letër kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti për nevojën e realizimit të këtij procesi statistikor, por përgjigje ende nuk ka marrë, meqë sipas BDI-së, nevojiten një studim i detajuar për këtë çështje nga një grup i ngritur enkas për regjistrimin.
Njohësit e çështjes së regjistrimit thonë se ky proces duhet të realizohet, por më parë duhet bërë përgatitje të mirëfillta, që të mos përsëritet dështimi i para dy viteve.
Fati Iseni, ish anëtar të Komisionit Shtetëror për Regjistrimin e Popullsisë në vitin 2011, ka thënë për REL se dështimi i para dy viteve ka ardhur nga frika, siç shprehet ai, “e rritjes së përqindjes së popullatës shqiptare në Maqedoni”.
Në bazë të regjistrimit të fundit të realizuar në vitin 2002, numri i shqiptarëve në Maqedoni arrin në 25.17 për qind nga numri i përgjithshëm i popullatës dy milionëshe, por përveç shqiptarëve që pretendojnë të jenë në përqindje më të lartë, edhe qarqe të caktuara maqedonase pretendojnë se kjo përqindje është më e ulët dhe se sipas tyre, ajo është rritur me qëllim të realizimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ndryshe, shumë analistë më në zë dhe njohës të çështjeve sociale në Maqedoni theksojnë se numri i shqiptarëve është mbi 40 për qind në Maqedoni, andaj ka hezitime nga pushteti për t’i shkuar deri në fund procesit të regjistrimit të popullsisë./GazetaFakti