Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), e cila vepron në Maqedoni që nga viti 2005, ka realizuar më shumë se 900 projekte deri më tani në këtë vend në fusha të ndryshme, siç janë arsimi, shëndetësia, infrastruktura dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore, raporton Anadolu Agency (AA).
TIKA vazhdon përpjekjet e saj për të siguruar që çdo fëmijë të arsimohet në mënyrë të barabartë pavarësisht përkatësisë etnike dhe fetare. Deri më sot, ajo ka rinovuar 38 shkolla fillore, të mesme dhe universitete, prej të cilave 24 janë riparuar dhe 14 janë ndërtuar, që janë bërë shkolla të dalluara në rajonet ku gjenden, duke u shërbyer rreth 15 mijë nxënësve dhe studentëve.
TIKA ka kontribuar në zhvillimin e infrastrukturës fizike dhe informatike të institucioneve për të rritur produktivitetin e tyre, duke lehtësuar qasjen në shërbimet publike, ndërsa po ashtu ka organizuar edhe programe trajnimi për rritjen e kapaciteteve të personelit të institucioneve publike.
Me qëllim të reduktimit të vështirësive të popullatës në qasjen në shërbimet shëndetësore, TIKA ka kryer rinovimin e spitaleve dhe qendrave shëndetësore dhe ka realizuar projekte mbështetëse duke ofruar pajisje mjekësore dhe mobilje spitalore. Kjo agjenci gjithashtu ka siguruar pajisje mjekësore moderne dhe ka bërë rinovimin e qendrave shëndetësore për të reduktuar vdekshmërinë e foshnjave në Maqedoni.
Kjo organizatë nga Turqia ka realizuar riparimin dhe furnizimin e repartit të higjienës dhe para sterilizimit në spitalin “Nënë Tereza” në Shkup.
Mbështetje për zhvillimin bujqësor
Në kuadër të aktiviteteve në Maqedoni, TIKA gjithashtu zhvillon dhe zbaton projekte për rigjallërimin e ekonomisë dhe promovimin dhe diversifikimin e prodhimit.
Projekti për Zhvillimin Perimtarisë në Serrë në Maqedoninë Lindore, Projekti për Zhvillimin Bletarisë, Projekti për Përmirësimin e Cilësisë së Orizit dhe Prodhimit dhe Projekti për Zhvillimin e Pemëtarisë janë projekte të realizuara nga TIKA, e cila, me projekte në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë në Maqedoninë Lindore, ku mbizotërojnë kushte ekonomikisht të rënda, kontribuon në zhvillimin rural.
Në Maqedoni, TIKA gjithashtu ka realizuar aktivitete sociale dhe kulturore në bashkëpunim me organizatat joqeveritare që kontribuojnë në krijimin e një brezi paqësor në Ballkan dhe rujajtjen e vlerave kulturore.
Trashëgimia e përbashkët historike dhe kulturore në Maqedoni po rikthehet
Duke synuar kontributin në ruajtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe zhvillimit të turizmit kulturor të Maqedonisë, TIKA ka marrë përsipër restaurimin e shumë xhamive dhe trashëgimisë historike në këtë vend.
Në fshatin Koxhaxhik të Komunës së Qendër Zhupës, agjencia turke reallizoi Projektin e Shtëpisë Muze të Ali Riza Efendiut, babait të Mustafa Kemal Ataturkut, si dhe riparoi ndërtesën e Akademisë Ushtarake në Manastir, ku Ataturku, themeluesi i Turqisë moderne, u arsimua mes viteve 1896 dhe 1899.
TIKA pasuroi trashëgiminë kulturore duke përfunduar projektet e restaurimit të Xhamisë së Ishak Çelebiut në Manastir, Xhamisë Husein Shah në Shkup, Xhamisë Mustafa Pasha në Shkup dhe Xhamisë Mahmud Aga në Radanjë, ndërsa aktualisht janë duke vazhduar punimet për restaurimin e Xhamisë Sulltan Murad dhe Xhamisë Allaxha në Shkup.
Kontribute në zhvillimin e gjuhës turke
Gjithashtu, TIKA ofron kontribute edhe në projekte që kanë për qëllim zhvillimin dhe mbështetjen e gjuhës turke në Maqedoni.
TIKA mbështet aktivitetet e festimit të Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni më 21 dhjetor, të cilat nga viti 2008 organizohen nga Lidhja e Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSİTEB), organizatë ombrellë e më shumë se 50 shoqatave që veprojnë në këtë vend.