Tirana dhe Prishtina demantojnë Taravarin se përkrahin koalicionin trepartiak në Maqedoninë e Veriut

Ambasadorët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Fatos Reka dhe Gjergj Dedaj, e vlerësuan si të papranueshme deklaratën e shefit të shtabit zgjedhor Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, gjoja se të dy shtetet fqinje përkrahin koalicionin trepartiak të subjekteve politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, që në zgjedhjet e muajit Prill BDI të shkojë në opozitë.

Marketing

Të dy ambasadorët janë identik në vlerësimin se Shqipëria dhe Kosova nuk përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut dhe se koalicionet eventuale të subjekteve politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë çështje partiake.

– Kjo është e papranueshme. Kosova nuk përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në atë se cilat parti mes vete do të koalicionojnë. Kjo është punë e partive politike në Maqedoninë e Veriut. Partitë vetë vendosin nëse do të bashkëpunojnë mes vete gjatë zgjedhjeve. Qëndrimi zyrtar i Repubikës së Kosovës është se nuk përzihemi në punët e brendshme të shtetit fqinj, Maqedonisë së Veriut, me të cilën kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm. – deklaroi Ambasadori i Kosovës në vend Gjergj Dedaj.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoni, Reka thotë se nuk është i njoftuar dhe se nuk e ka dëgjuar deklaratën e Taravarit. Megjithatë, ai deklaroi se Shqipëria nuk përzihet në punët e brendshme të shteteve tjera, duke përfshirë këtu edhe Maqedoninë e Veriut. Edhe ai si Dedaj thotë se koalicionet eventuale janë çështje e marrëveshjeve mes partive politike në një shtet.

Taravari për TV21 thotë se për koalicionin trepartiak nuk insiston vetëm Aleanca për Shqiptarët por edhe faktorë të jashtëm dhe të brendshëm, me qëllim që BDI të shkojë në opozitë. Ai është i bindur se koalicioni trepartiak do të sjellë fitoren e sigurtë.

Të gjithë ata faktorë që insistojnë të jemi bashkë, duan dhe llogarisin se ka ardhur koha BDI të shkojë në opozitë. Kur them faktorë të jashtëm nënkuptoj shtetet shqiptare në Ballkan që i llogarisim si vëllezër, miq që na e duan të mirën njësoj si ne atyre. – thotë Taravari.

Qëndrimi kontraverz i Taravarit vjen në suaza të negociatave që Aleanca për Shqiptarët i zhvillon me Besën dhe Alternativën për koalicion parazgjedhor trepartiak. Aleanca e frymëzuar nga fitorja e Vetëvendosjes në Kosovë, u ofroi Besës dhe Alternativës bashkëpunim parazgjedhor që siç thonë BDI të shkojë përfundimisht në opozitë.

Ndaj deklaratës së Taravarit reagon edhe BDI.

Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që çdo paraqitje publike e fraksionit të PDSHsë së Menduh Thaçit, LR PDSHsë, dhe eksponentëve të saj, zbardh drojën e tyre në palcë nga ballafaqimi i drejtpërdrejtë me BDInë dhe përjetimin e dështimit të pestë me rradhë në procese zgjedhore që nga fraksionimi i tyre me PDSHnë ose të shtatëmbëdhjetin në përgjithësi.

I mposhtëm në mënyrë absolute që nga viti 2002 e gjer më sot, por në veçanti në zgjedhjet parlamentare më 2016, më pastaj në zgjedhjet lokale ku edhe kryetari i tyre, pasi braktisi PDSHnë, humbi në qytetin e tij, duke vijuar me zgjedhjet e parakohëshme në Dibër si dhe ato presidenciale.

Edhe pas 4 humbjeve nga BDI-ja, si dhe mospërkrahjes së referendumit për NATO dhe BE, asnjë nga ata nuk pati guximin të bartë përgjegjësi demokratike, morale dhe politike dhe kjo flet për mungesën e respektit ndaj vullnetit të qytetarëve nga ky subjekt.

Ish partneri jonë qeverisës, në përpjekje të vazhdueshme për të kamufluar dështimet e njëpasnjëshme dhe për të prodhuar lajme të rreme të përditshme skandaloze, implikon paturpësisht Tiranën dhe Prishtinën dhe partitë tjera në përralën e tyre defetiste.

Ngjashëm bënë edhe gjatë krijimit të përrallës së `Platformës së Tiranës` duke i shërbyer argumentimit të opozitës maqedonase, partnerit të tyre ideologjik.

Pretendimet skandaloze të Taravarit dhe LR PDSHsë për ndërhyrje të `faktorëve të jashtëm` dhe kërkimi i shpëtimit nga dështimi i rradhës prej faktorëve të tjerë, partive tjera, lajmeve të rreme dhe bashkimit për të rrënuar çdo të arrirë, do të dënohen nga qytetarët. – thuhet në deklatatën e BDI-së.