Teksa akrepat e orës shënuan 00:00, fishekzjarret shumëngjyrëshe organizuar nga bashkia lajmëruan ndërrimin e viteve dhe njëkohësisht edhe 100-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet. Siç është bërë traditë tashmë, sheshi “Skënderbej” ishte qendra e festimeve, ku ishin mbledhur qytetarë të shumtë edhe nga rrethet e tjera.
Festa nisi në orën 22:30 të mbrëmjes, me këngëtaret e njohura shqiptare Eneda Tarifa, Mariza Ikonomi dhe Elhaida Dani. Pak para ndërrimit të viteve, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa uruan qytetarët në sheshin “Skënderbej”.
Veliaj tha se pavarësisht një viti me sfida që lamë pas, 2020 vjen plot shpresë. “Viti 2020 është 100-vjetori i Tiranës. Ky vit na dha të kuptojmë se gjëja më e rëndësishme është jeta. Ne mund të kemi bindje të ndryshme, fe të ndryshme, mund të kemi ngjyra të ndryshme të lëkurës, por kemi vetëm një jetë. Ndaj, në emër të këtyre sfidave, vështirësive, në emër të gjithë atyre fatkeqësive që kaluam këtë vit, përqafojmë njëri-tjetrin plot shpresë, për një vit më të mirë dhe një zemër plot mirënjohje për Tiranën tonë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë shprehu bindjen se ndonëse Tirana u prek nga tërmeti, 2020 do të jetë viti i ringritjes së madhe, viti ku Tirana ecën më shpejt e lufton akoma më fort për të qenë një qytet europian. “Jemi duke rikuperuar shtëpitë një e nga një, duam gjithashtu të rikuperojmë zemrat, mendjen, ekonominë dhe të sigurohemi që Tirana të vazhdojë të jetë motori i ekonomisë dhe i rajonit tonë. Fëmijët janë e ardhmja e këtij qyteti dhe e këtij kombi, ndaj në emër të fëmijëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë duhet të ngrihemi prapë në këmbë. Qytetet nuk maten nga sa herë rrëzohen; Qytetet, shtetet, kombet, komunitetet, familjet, maten nga sa shpejt ngrihen. Ndaj, unë besoj se viti 2020 do të jetë viti i ringritjes sonë të madhe, viti ku Tirana ecën më shpejt, lufton akoma më fort për të qënë një qytet realisht europian”, theksoi ai.
Veliaj i bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të ndihmojnë ekonominë, duke punësuar një person të prekur nga tërmeti apo duke adoptuar ndërtimin e një banese ose institucioni arsimor.
“Teksa fillojmë punën, teksa rifillon jeta normale, duam shumë të fokusohemi tek ekonomia. Nëse keni një biznes, punësoni një njeri më shumë sepse ka humbur gjithçka prej tërmetit. Nëse keni një mundësi financiare për të ndihmuar shtëpinë e dikujt, ju lutem na jepni një dorë; nëse keni mundësi të adoptoni një shkollë, një kopsht, një çerdhe, ju lutem na jepni një dorë dhe unë zotohem: ne si Tiranë, do të japim një dorë, siç kemi dhënë edhe për Durrësin, për Thumanën, për Laçin, për Krujën, për Fushë-Krujën dhe kudo tjetër ku ka nevojë që dora e Tiranës të ndihet. Kjo është Tirana jonë, familja jonë e madhe. Një familje është si një pemë secila ka degën e vet, por ama jemi të gjithë në një rrënjë”, tha kryebashkiaku Veliaj.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës përshëndeti edhe vëllezërit dhe motrat tona në trevat shqiptare, si dhe në diasporë. “Tirana e një milionëve, që mezi pres jo vetëm të mbushi 100-vjetorin, por në vitin 2022 është përzgjedhur Qyteti Europian i Rinisë. Dua të përshëndesim të gjithë vëllezërit dhe motrat tona në Kosovë, në Maqedoni, vëllezërit dhe motrat në Preshevë, Mal të Zi, ata që janë në Australi, në Hollandë, në Kanada, në Amerikë, në Belgjikë, Gjermani e kudo ku flitet dhe ku rreh zemra shqip”, tha Veliaj.
Më herët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës dhe Kryeministri Edi Rama vizituan familjen Tafa në Kombinat, të cilën nata e ndërrimit të viteve e gjeti në banesën e re të rindërtuar nga e para, pas tërmetit të shtatorit. Tre engjëjt e vegjël të kësaj familje pesë anëtarëshe kanë tashmë jo vetëm një banesë të re, por edhe kushte më të mira për t’u rritur e mësuar.
Një tjetër ndalesë ishte edhe familja Shkalla në Lundër. Estrefi dhe familja e tij humbën shtëpinë e vjetër prej tërmetit, por shumë shpejt do të lënë çadrën dhe do të kthehen në një banesë më të mirë.
Bashkë me urimin për një vit të ri të gëzuar, Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Veliaj e siguruan për rindërtimin e shtëpisë në kohë rekord. Rama deklaroi se të gjitha banesat e dëmtuara do bëhen brenda vitit. “Me siguri që do t’i rregullojmë të gjithë brenda vitit tjetër, ky është qëllimi. Kush është në çadër është prioritet i parë, pastaj ata me qira. Shtëpinë tënde do ta bëjmë shumë shpejt, se shkova e pashë, edhe themelet ishin bërë. Nga marsi, shtëpia do të jetë gati, por derisa të përfundojë, do të kaloni në një shtëpi provizore. Shtëpitë do të bëhen shpejt se do të bëhen me materiale të forta parafabrikate, dhe ato bëhen më shpejt, nuk kanë taksirate temperature, llaçi, janë ekologjike, antisizmike, edhe mobilimin bazë do ju’a bëjmë ne”, deklaroi Rama.
Kreu i bashkisë Veliaj tha se lejet për meremetimin e banesave apo ndërtimin e atyre të shembura nga tërmeti jepen brenda 24 orëve.