05/05/2024
Ballina Lajme Shqipëri Tirana reagon ndaj deklaratave të Athinës mbi zgjerimin e kufijve detarë

Tirana reagon ndaj deklaratave të Athinës mbi zgjerimin e kufijve detarë

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, tha të mërkurën në një reagim të saj për Zërin e Amerikës, se zgjerimi i kufirit detar të Greqisë nuk ka të bëjë me kufirin ujor shqiptaro-grek.

Reagimi i autoriteteve shqiptare pasoi deklaratën e bërë të mërkurën në parlament nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis se qeveria e tij do të paraqesë një projektligj, për të shtyrë kufirin perëndimor të ujërave territorialë në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare. Zoti Mitsotakis po ashtu deklaroi se Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias kishte vënë në dijeni edhe homologët e tij italian dhe shqiptar.

Marketing

Ministria e Jashtme e Shqipërisë iu përgjigj interesimit të “Zërit të Amerikës” për këtë temë, duke thënë se “lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982”.

Ministria e Jashtme shprehet se “Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Në reagimin e saj për VOA, Ministria e Jashtme shton se “Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS”.

Shqipëria dhe Greqia po diskutojnë gjatë vitet e fundit mbi përcaktimin e kufijve detarë midis tyre. Një marrëveshje e mapërshme mes dy qeverive u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe bisedimet nisën nga fillimi me grupe të reja negociatore.

Në një mesazh në Twitter të martën, Ministri i Jashtëm grek Niko Dendias, shkruante se kishte folur në telefon me Kryeministrin Edi Rama lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.

Ministri i Jashtëm i Greqisë pritet do të shkojë së shpejti në Tiranë për bisedime me homologun e tij shqiptar.

Deklarata e plotë

MEPJ ka ndjekur me vëmendje sot zhvillimet në Parlamentin grek dhe deklaratat e zyrtarëve më të lartë të vendit fqinj gjatë seancës së ratifikimit të marrëveshjeve detare mes Italisë dhe Greqisë si dhe mes Greqisë dhe Egjyptit.

Qeveria shqiptare vlerëson arritjen e marrëveshjeve për delimitimin e hapësirave detare mes vendeve të rajonit të Mesdheut duke u mbështetur në normat ndërkombëtare për të drejtën e detit dhe frymën e miqësisë dhe interesit reciprok.

Me këtë rast bëjmë me dije se në vijim të interesimit të medias, lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982. Greqia ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS.

Vetë Shqipëria në bazë të kësaj konvente ku është palë ka ushtruar të drejtën për të përcaktuar gjerësinë e detit të saj territorial në 12 milje detare, zgjerim i cili është depozituar pranë Kombeve të Bashkuara që prej 9 marsit 1990 dhe që nuk është kontestuar për asnjë moment nga fqinjët tanë. Kjo e drejtë që buron nga konventa nuk është çështje negociate mes shteteve palë të konventës dhe në të gjitha rastet shtetet që janë në procese negociuese mbi delimitimin e hapësirave detare janë të detyruara që të ndjekin parimet, frymën dhe kriteret e konventës që u njeh shteteve palë të drejtën e zgjerimit te ujerave territoriale deri në 12 milje detare.

Sidoqoftë, qeveria shqiptare do të jetë e vëmendshme për çdo proces legjislativ në vendin fqinj i cili mund të ketë ndikim në ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtave sovrane në hapesirën detare që i takon.

Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Marketing