Tirana zyrtare me plan për kujdes më të madh ndaj shqiptarëve në rajon!

Në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë pritet të hapet një strukturë e re që do t’i dedikohet ndërveprimit me shqiptarët në rajon. Lajmin e bëri të ditur ministri Igli Hasani në ditën e dytë të konferencës së ambasadorëve, ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
“Tirana nuk ndërhyn në çështjet e brendshme dhe në dialogun e brendshëm të shqiptarëve kudo që ata janë. Ne përpiqemi të angazhohemi dhe të flasim me motrat dhe vëllezërit tanë për një çështje shumë të rëndësishme që është integrimi euroatlantik. Të gjitha forcat politike shqiptare kudo ku ata janë, kanë qenë promotorët e zhvillimit dhe zhvendosjes së shoqërive të tyre, drejt familjes evropiane”, tha ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme – Shqipëri, Igli Hasani.
Në Tiranë ku nisi një vizitë dyditore, zëvendëskryeministri Mexhiti njëkohësisht ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i nisi takimet me ministrin e Jashtëm, Igli Hasani.
“Diskutuam thelbësisht mbi bashkëpunimin midis dy vendeve tona, një aspekt shumë të rëndësishëm për avancimin e proceseve të eurointegrimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. Mbështes besimin tim të palëkundur se rruga e vetme që kemi është integrimi i plotë në familjen evropiane.”, shkruan Mexhiti.
Gjatë ditës ai u takua edhe me homologen Mirela Kumbaro, të cilën e ka përgëzuar për suksesin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka arritur në tërheqjen e turistëve të huaj. Gjatë qëndrimit në Tiranë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut pritet të takohet edhe me krerë të tjerë të shtetit.
Marketing