Tiranë, protestë për vdekjen e një të riu pas ndjekjes nga policia

Në Tiranë është mbajtur marshim protestë për shkak të vdekjes së një të riu 25-vjeçar pasi u plagos fillimisht gjatë ndjekjes nga policia në Tiranë dhe më pas ndërroi jetë në spital.

Marketing

Dhjetëra të rinj pjesëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë (FRPD) dhe aktivistë protestuan para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Kryetari i FRPD-së, Belind Këlliçi, në prononcimin për mediat gjatë protestës tha se nuk po bëjnë politikë me ngjarjen në fjalë dhe sipas tij dikush duhet të mbajë përgjegjësi për vrasjen e të riut.

“Kush mban përgjegjësi për 25-vjecarin e vdekur. 25 vjeç me hurma në dorë kishte thyer orën e karantinës dhe vritet me plumb pas koke. Kjo që ka ndodhur është kriminale. Është momenti që çdo i ri, çdo qytetar të bëhen bashkë për të reaguar. Fatkeqësisht shoqëria jonë sot është e intubuar, duhet reagim. Reagoi shoqëria shqiptare kur në Amerikë u vra George Floyd, edhe kryeministri, patjetër që shumë mirë bëri. Po pse nuk ka reagim për një 25-vjeçar të vrarë. Është edhe më e turpshme tentativa për të manipuluar provat e ngjarjes, për të baltosur emrin e të ndjerit dhe për ta ngarkuar dyfish me dhimbje familjen”, tha Këlliçi.

Sipas tij, me protestën po bëjnë detyrën si qytetarë duke reaguar dhe duke ftuar çdo qytetar të reagojë.

“Rinia shqiptare duhet të ishte në festë. 8 dhjetori është ditë simbolike për çdo të ri, ndërkohë që më 8 dhjetor u vra një 25 vjeçar”, theksoi kreu i FRPD-së.

Të rinjtë protestues kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe dënimin e autorit të ngjarjes.

Ndërkohë, për ditën e sotme pavarësisht masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19) dhe ndalimit të grumbullimeve me mbi 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura janë paralajmëruar edhe protesta të tjera nga aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë për ngjarjen në fjalë.

Ngjarja 

Ngjarja ku mbeti i vdekur 25-vjeçari me inicialet K.R ka ndodhur rreth orës 01:45 të datës 8 dhjetor në Tiranë, që përkon edhe me kufizimin e lëvizjes së qytetarëve, ndërkohë që është arrestuar edhe një punonjës i policisë.

Sipas njoftimit zyrtar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë (SHÇBA), pas thirrjes së policisë për të ndaluar, i riu nuk i është bindur thirrjes së efektivit dhe ka tentuar të largohet për t’i ikur policisë, e cila është vënë në ndjekje të tij. Theksohet se në ndjekje e sipër, punonjësit e policisë kanë konstatuar se i riu kishte me vete një send në dukje armë zjarri.

Sipas SHÇBA-së, një nga punonjësit e policisë pasi nuk ka arritur ta kapë dhe prangosë, ka hapur zjarr me armën e shërbimit në drejtim të tij, ku për pasojë 25-vjeçari është plagosur dhe më pas ka humbur jetën në spital.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat vlerëson se veprimet e punonjësit të policisë bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit, ndërkohë është arrestuar edhe punonjësi i policisë në fjalë për veprën penale “Vrasje e kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”.

Ngjarja shkaktoi reagime të partive politike, aktivistëve të shoqërisë civile dhe qytetarëve në rrjetet sociale, të cilët kanë paralajmëruar mbajtjen e disa protestave.